Mazhoranca do ta votojë projektligjin për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të regjimit komunist në seancën plenare të së hënës qoftë edhe pa opozitën. Kryeministri Berisha u shpreh i vendosur për votën pro të mazhorancës në një konferencë për shtyp, ku theksoi se përmes këtij vendimi e djathta nuk synon të hakmerret, por e ndjen atë si një detyrim ndaj shqiptarëve si shprehje të distancimit ndaj barbarive të kryera në emër të luftërave të klasave gjatë regjimit komunist.

Në këtë kontekst ai akuzoi direkt kryetarin e PS Edi Ramën për mbrojtje të punonjësve të administratës që janë përfshirë në krimet e kryera gjatë komunizmit.

Sali Berisha: “Zoti Rama, ligjin do ta votoj edhe pa ty jo se ne dëshirojmë, sepse muaj dhe muaj të tërë ne jemi përpjekur që ta votojmë së bashku. Por sepse ti duke mbrojtur një grusht të vogël njerëzit të cilët të kanë urdhëruar, ekzekutimin, varjen, zvarritjen publike në rrugët e Shkodrës dhe të Sarandës të kufomave të të rinjve shqiptar.  Dëshmon se je i vendosur të shërbehesh prej tyre, njëlloj si paraardhësit e tu, etërit e tu shpirtëror. Mirëpo Shqipëria tani është vend tjetër, është vend i lirë. Ata kanë kryer krime monstruoze, ata do të largohen. Zoti Rama i cili në një ligjëratë të tij që dridhej i tëri i lejoi vetes gjuhën e halabakut ndaj meje. Dua ti them sa vijon mbrojtja nga ana juaj zoti Rama e një grushti njerëzish në krye të drejtësisë shqiptare të cilët kanë vendosur varje publike të poetëve, intelektualëve. Kanë urdhëruar lidhjen me tela me gjemba dhe zvarritjen në sheshet dhe rrugët e Shkodrës të Sarandës, të kufomave dhe të të rinjve shqiptar dhe kjo edhe në vitin ‘89, ’90 përdhos shpirtin e tyre të martirizuar. Dhe me këtë ligj mazhoranca aktuale nuk synon kurrfarë hakmarrje, por synon të përmbushë një detyrim madhor, moral të shoqërisë shqiptare. Atë të dënimit të krimeve të komunizmit, të shprehjes së distancimit ndaj barbarive të këtij sistemi, të hedhjes poshtë të legjitimitetit të krimeve të kryera për 45 vjet me radhë në Shqipëri  në emër të parimit barbar të luftës së klasave. Ky ligj synon para së gjithash të lehtësojë gjëmën e shpirtrave që dergjen në varre për fjalën e lirë për besimin tek Zoti, për pronën e tyre, për besimin tek Shqipëria. Synon ky ligj të frenojë urrejtjen.”

Kreu i qeverisë sqaroi se projektligji i paraqitur në Kuvend është një variant i zbutur i ligjit çek, ku janë marrë parasysh dhe sugjerimet e opozitës. Duke hedhur kështu poshtë çdo pretendim për antikushtetueshmërinë e tij.

Sali Berisha: “Ligji shqiptar i lustracionit që votohet nesër në parlament është më i zbutur qartësisht se ligji çek. Ndonëse kur Çekia përjetonte pranverën e Pragës, në Shqiptarët përjetonim … famë keqe të pushkatimeve në seri, përjetonim revolucionin kulturor të Limpiaos. Kur çekët lexonin kartën 77, në Shqipëri pushkatoheshin poetët, intelektualët për fajin e vetëm se kishin guxuar që në vargjet e tyre të përmendnin fjalën të drejta njerëzore. …/ tvklan.al