“Sot pas 18 vjetësh, ata që shërbyen si hanxhar të diktaturës janë në segmente të caktuara të pushtetit, ndaj do të vazhdojmë më vendosmëri betejën tonë për t’u ndarë nga kapitulli më tragjik i historisë tonë kombëtare, krimet e komunizmit.”

Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha duke iu referuar ligjit për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë, ndërsa garantoi edhe njëherë se ky proces do të bazohet në rregullat e shtetit ligjor.

Deklaratën kreu i ekzekutivit e bëri gjatë çeljes së një ekspozite në Muzeun Historik Kombëtar, me titull “Nderimi i viktimave të terrorit komunist”.

Sali Berisha: “Ky proces është i pandalshëm, ky proces do të ecë gjithnjë brenda rregullave të shtetit ligjor, ndaj dhe ne le të vazhdojmë betejën tonë për t’u ndarë njëherë e mirë nga ky kapitull.”

Kreu i qeverisë ndër të tjera vuri në dukje mosdistancimin sipas tij të PS nga këto krime.

Sali Berisha: “Ata të cilët shërbyen si hanxhar të diktaturës janë në segmente të caktuara të pushtetit. U dëmshpërblyen nga PS, e cila nuk merr përsipër të kërkojë të falur dhe të distancohet nga kjo e shkuar.”

Ylli Pango: “Jemi përpjekur me këtë ekspozitë të japim në mënyrë kronologjike  duke filluar nga vitet e luftës dhe deri në telat me gjemba të viteve ’90, tmerret e diktaturës komuniste. Jemi përpjekur të japim rrathët koncentrike të ferrit komunist, jemi përpjekur të përfshijmë të gjithë viktimat, martirët që përjetuan në këtë tonë skëterrën e sistemit të egër.”

Në këtë eveniment të organizuar nga Ministria e Kulturës, e që vjen më 20 shkurt, plot 18 vjet pas rënies së simboleve të komunizmit në vendin tonë, ishin të pranishëm personalitete nga fusha të ndryshme në vend, por edhe përfaqësues të trupit diplomatik./tvklan.al

Gazetare: Daniela Kostandini