Brenda Shkurtit do mbërrijnë edhe 40 mijë doza të tjera

21 ditë nga doza e parë e vaksinës për Covid, Kryeministri Edi Rama mori dozën e dytë të vaksinë së Pfizer. Ashtu si e herën e parë, në stadiumin “Air Albania”, të parët që morën dozën e dytë të vaksinës ishin edhe shefja e Infektivit Najada Çomo dhe mjeku infeksionist Tritan Kalo.

Ndonëse është një numër i vogël dozash që kanë mbërritur nga kompania Pfizer, kreu i qeverisë tha se në mes të Shkurtit pritet të vijnë mbi 10 mijë dozat e tjera, ndërsa brenda muajit do të vijnë edhe 30 mijë doza nga Pfizer.

“Kemi marrë konfirmimin nga Pfizer që në mes të shkurtit mbërrijnë mbi 10 mijë doza të tjera të parashikuara dhe brenda shkurtit vijnë edhe mbi 30 mijë doza të tjera, që do të thotë që jemi gati të vaksinojmë të gjithë mjekët dhe infermierët dhe të fillojmë më moshën më të thyer. Me këto doza do të hyjnë në dozën e vaksinimit për moshat e thyera”.

Kreu i qeverisë tregohet optimist për vaksinimin e popullsisë brenda skenarit të parë prej 14 muajsh.

“Jemi shumë pranë kontratës me AstraZeneca për një numër dozash që do të vihen në dispozicion. Kemi shumë arsye të jemi optimistë që plani ynë për vaksinim në 14 muaj është i mundshëm”.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manatsirliu tha se me dozat e mbërritura, përveç personelit shëndetësor që ka marrë dozën e parë, do të vaksinohen edhe mjekë e infermierë të tjerë.

“Me ardhjen e dozave të tjera do të jetë edhe vaksinimi për të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve. Do të jetë një proces i kombinuar. Vijon vaksinimi për ata që marrë dozën e parë dhe për ata që kanë nevojë dhe janë në vijën e parë”.

Të martën morën dozën e dytë të vaksinimit edhe 50 mjekë dhe infermierë të spitaleve Covid.

Tv Klan