Në shumë liga europiane kanë rinisur stërvitjet e skuadrave në fushë dhe po planifikohen datat për rinisjen e kampionatit. Një prej kampionateve që po pret me padurim zbritjen në fushë është Liga spanjolle, që tashmë ka marrë edhe dritën jeshile nga Ministria e Shëndetësisë.

Lufta me Covid-19 duket se është hedhur pas krahëve, dhe tashmë është konfirmuar se skuadrat do të lejohen për të rifilluar punën që prej kësaj jave, me shpresën që sezoni 2019-2020 mund të përfundojë në fushë.

Sipas protokollit të sigurisë së La Ligës, lojtarët do të stërviten në mënyrë individuale, por fillimisht do i nënshtrohen testeve për të mësuar nëse janë të prekur nga koronavirusi. Skuadra e parë që pritet të zbres në fushë, gjithmonë nëse asnjë prej lojtarëve të saj nuk rezulton pozitiv në testin e Covid-19 është Atletico Madrid.

‘Los Colcheoneros’ pritet të dalin në stërvitje këtë të premte për tu bërë kështu edhe klubi i parë spanjoll që rikthehet në fushë. Pas tyre pritet të dalin me radhë skuadra si Barcelona dhe Valencia, teksa Zinedine Zidane do të ketë në dispozicion të tij lojtarët e Realit të Madridit të hënën e 11 Majit. Kjo datë shihet si ideale për t’u rikthyer në stërvitje edhe për klubet e tjera.

Ndërkaq, dy skuadrat finaliste të Kupës së Mbretit, Atletic Bilbao dhe Real Sociedad do të zbresin në fushë që këtë fundjavë për të qënë të gatshëm për rifillimin e mundshëm të kampionatit. Ndërkohë për finalen e turneut të dytë për nga rëndësia në vend, drejtuesit e klubeve baske kanë kërkuar nga Federata Spanjolle një datë zyrtare, por edhe pjesëmarrjen e tifozëve. Sipas tyre, nëse lojtarët zbresin në fushë, prania e mbështetësve në tribuna është një domosdoshmëri.

Klan Plus