Reagime për hartën në zyrën e tij

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, pritet që më 1 Mars të vizitojë Kosovën.

Ai është paraparë të qëndrojë në Kosovë deri më datën 3 Mars për të vazhduar më pas vizitën e tij në Serbi dhe në Mal të zi.

Ai pritet të qëndrojë në Ballkan deri më 5 Mars. Lajçak pritet të qëndrojë në Kosovë në prag të formimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve të 14 Shkurtit në Kosovë.

Fituesi i këtyre zgjedhjeve Albin Kurti ka thënë se dialogu me Beogradin nuk është prioritet i qeverisjes së tij duke e vënë atë në rend të 6-të, por që BE-ja ka reaguar duke kërkuar përkushtimin e qeverisë së re në vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

Lajçak ditëve të fundit gjithashtu  ka qenë cak i kritikave të mëdha në Kosovë pasi u shfaq në një intervistë ku shihej një hartë në të cilën paraqitej Kosova si pjesë e Serbisë.

Aktivistë të Partisë Socialdemokrate kanë zhvilluar një aksion simbolik para zyrës së BE-së në Kosovë.

“Siç mund ta dini ekziston vetëm një hartë që Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë, dhe ajo është e Serbisë. Për neve është befasuese si të njëjtën hartë po e përdor Lajçak. Ky lloj referimi po duket që nuk është i paqëllimshëm”.

PSD është shprehur e befasuar për mosreagimin e Kryeministrit në ardhje Albin Kurtit si dhe afërsinë e tij me Lajçakun.

Lajçak kishte reaguar pas akuzave duke thënë se harta nuk është parë qartë meqë në të Kosova është e ndarë nga Serbia.

Tv Klan