Inter e vetme për titull, garë e fortë në zonën Champions League

Inter është vetëm një fitore larg titullit kampion në Seria A italiane. Humbja e Milanit përballë Lazios ka favorizuar tashmë zikaltërit, të cilët në 5 sfidat e mbetura deri në fund të garës duhet të marrin të paktën 3 pikë për t’u kurorëzuar me Skudenton e famshme.

Edhe kalendari është në favor të tyre, pasi do masin forcat me skuadra të kalueshme, si Krotone, Sampdoria dhe Udinese, por edhe ekipe si Roma e Juventus.

Garë e fortë duket të jetë për 3 pozicionet e tjera që të sigurojnë biletën për në Ligën e Kampionëve. Nga vendi i dytë që mbahet nga Atalanta deri te vendi i 5-të ku ndodhet Milan i ndajnë vetëm 2 pikë, pa harruar Lazion, që ka edhe një takim për të zhvilluar, që në rast fitoreje do e dërgonte në 5 numrin e skuadrave për 3 bileta.

Interesante është fakti se 3 skuadra, Napoli, Juventus dhe Milan kanë kuotë të njëjtë pikësh, 66, çka e bën më atraktive garën në elitën e futbollit italian.

Klan News