Kukësi-Skënderbeu duket si një finale e parakohshme në Kupën e Shqipërisë. Dy skuadrat gjysmëfinaliste do të përballen në stadiumin e Kamzës. Të dyjave u intereson ky trofe. Për Kukësin do të ishte justifikimi i sezonit, ndërsa për korçarët është çështje prestigji në pritje të vendimit të gjykatës së arbitrazhit për pezullimin 10-vjeçar nga UEFA.

Në raundin e parë të kësaj sfide Kukësi duhet të luftojë më shumë pasi vuan mungesën e gjysmës së ekipit. Kapiteni Shameti, William Cordeiero, Maliqi, Krasniqin dhe Dzaria. Ernes Gjoka duhet të mos pësojë humbje kështu që do të ndërtojë një formacion me mbrojtje dhe mesfushë të ngjeshur. Më komod është Orges Shehi. Skuadra e tij do t’i përqendrojë energjitë në këtë garë pasi zona europiane nëpërmjet kampionatit është vështirë të arrihet.

Ndeshje emocionuese pritet të jetë ajo mes Luftëtarit dhe Tiranës. Të dy skuadrat janë në garë edhe në kampionat, por për mbijetesën në Superligë. Gjirokastritët e drejtuar nga Julian Ahmataj po tregojnë karakter në këtë fundsezoni. Tekniku duket se ka gjetur mënyrën për t’i rikthyer motivimin futbollistëve, vetëm një humbje në 7 ndeshjet e fundit si dhe ka gjetur edhe Dungën si goleador. Për ta arritja në finale të kupës do të ishte historike.

Tirana e Ardian Memës është ende në ngërç. Cilësia e lojtarëve nuk mungon, lojë prodhon mjaftueshëm, por në fund mungon rezultati i kërkuar. Sfida me luftëtarin në kupë dhe kampionat do të vendosë fatin e sezonit.

Tv Klan