Duke shmangur të gjitha komentet për çështje që janë në qendër të debatit politik si hapja e ish-dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit apo hartimi i ligjit të ri elektoral, mbledhja e grupit parlamentar demokrat në pjesën e rezervuar për mediat është fokusuar vetëm në analizën e zhvillimit ekonomik për 6 mujorin e parë të këtij viti.

Kryeministri Berisha e ka cilësuar Shqipërinë si vendin e bumit ekonomik, që në tre vitet e qeverisjes demokratike ka njohur zhvillimet më të mëdha ekonomike në 13 vitet e fundit.

Sali Berisha: “Kur iu paraqitëm shqiptarëve  programin tonë ekonomik. Në fushatë elektorale dhe në parlament ne u zotuam solemnisht se do ta bëjmë Shqipërinë  vendin e rritjes së shpejtë ekonomike. Shqipëria deri tani është Shqipëria e dy shifrave, ka vetëm një shifër ky është inflacioni i cili këtë muaj është më i ulët. Ky program është programi më i shkëlqyer që shqiptarët kanë zbatuar ndonjëherë në ndonjë qeveri shqiptare deri sot.”

Berisha është ndaluar dhe në shifra konkrete të rritjes që kanë njohur sektorë të rëndësishëm të ekonomisë. Por si rrallë ndonjëherë ai nuk ka krahasuar çdo shifra me qeverisjen socialiste, por me shifrat e të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Sali Berisha: “Janë regjistruar  13 mijë e 533 biznese të reja. Të nderuar deputetë, eksportet e made in Albania janë rritur me 41%, importet janë rritur me 13%. Rritja e të ardhurave nga taksat dhe tatimet është 19.1%./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka