Një tjetër kontingjent paqeruajtës niset për në Irak. Janë 120 trupa komando pjesë e kontingjentit të 12, më i madhi i Shqipërisë në këtë vend. Në ceremoninë e rastit në komandën e Zall-Herrit, ky mision është përshëndetur nga kryeministri Berisha, zëvendës ambasadori amerikan në Tiranë, Stefen Cristina dhe ministri Oketa.

Sali Berisha: “Ju dhe bijtë tuaj kanë dhënë një kontribut të madh për vendin, realizimin e njërit prej dy projekteve më të mëdha të shqiptarëve për këtë shekull, anëtarësimin e vendit në NATO. E veçantë dhe e rëndësishme është kjo ditë sepse krahas misionit që ju keni në Mosul, merrni një mision të ri në Bagdat. Po e bëjmë këtë me vetëdije të plotë gjithashtu se çfarëdo që të bëjmë ne, për lirinë e tjerëve nuk do të arrijmë të bëjmë dot atë që SHBA kanë bërë për lirinë e shqiptarëve.”

Gamzend Oketa: “Tashmë vetëm një hap na ndan nga ëndrra, dëshira dhe përpjekjet shumë vjeçare për të qenë anëtare të aleancës së lirisë, anëtarë të aleancës së demokracisë, të aleancës së Atlantikut të Veriut.”

Stefen Kristina: “Forcat shqiptare kanë treguar se dinë t’ju shërbejnë më trimëri dhe profesionalizëm, përgjatë gjithë misioneve të nisura drejt Irakut.”

Që nga viti 2003 kur Shqipëria u rreshtua në krah të vendeve që do të kontribuonin në misionin ndërkombëtar “Liria e Irakut”, kanë kryer misionin rreth 1120 trupa komando./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama