Shqipëria e Arie Haan i ka nisur mbarë ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2010, duke barazuar pa gola ndaj Suedisë në Tiranë. Kuqezinjtë kanë dalë me një pikë nga një takim që shihej më shumë si triumfi i parë i ekipit të Lagerback, por Ibrahimovic nuk arriti të shënonte. Sulmuesin e Inter e ka penguar të tundte rrjetën në disa raste Arjan Beqaj, më i miri në fushë nga tanët, dhe në disa të tjera mbrojta.

Aksionet e Shqipërisë që lindnin nga kundërsulmet mund të kishin sjellë gola nëse  futbollistët do të tregoheshin më të kujdesshëm në goditjet finale. Hamdi Salihi humbi një rast të artë në minutën e ’32 ku doli vetëm për vetëm me portierin Issakson falë topit të krosuar në zonë nga Ervin Skela. Loja jonë pati një rritje në pjesën e dytë ku iu afruam më shumë zonës kundërshtare. Momenti më emocionues për mijëra të pranishmit në stadiumin “Qemal Stafa” ishte goditja e rrufeshme e Jahmir Hykës i cili zuri në befasi portierin Issakson.

Suedia e cila pretendonte më shumë në këtë takim pati momentin e papërsëritshëm ku Mellberg veproi me shumë ngadalë brenda zonës duke goditur topin keq. Ndeshja tjetër e Shqipërisë do të jetë ajo ndaj Maltës më 10 shtator në stadiumin “Qemal Stafa”./tvklan.al

Gazetari: Endrit Sauku