Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryetarë bashkish dhe komunash për tendenca rritje të pajustifikuar të taksave të biznesit të vogël. Ndonëse pa referime konkrete në emra drejtuesish  të  organeve të qeverisjes vendore, kryetari i qeverisë ka zgjedhur të fokusohet tek pasoja e një vendimmarrje të tillë.

Taksat e larta në një kohë kur shumë vende janë në krizë ekonomike, do të thotë rrënim për biznesin e vogël, ulje të vendeve të punës si dhe frenim i investimeve.  Por kryeministri u kujdes të sqaroj gjithashtu, se rritja e taksave për biznesin e vogël shkon kundër filozofisë së qeverisë që drejton, e cila me ardhjen në pushtet përgjysmoi këtë barrë fiskale.

Sali Berisha: “Ne nuk kemi dashur që të diktojmë çdo gjë nëpërmjet vendimeve të mazhorancës ndonëse vjet kemi bërë një ndërhyrje. Kemi bërë një  ndërhyrje të detyruar për të mbrojtur biznesin e vogël, sepse sërish vjet u shfaq tendenca për të rritur taksën e gjelbërimit, taksën e pastrimit, taksën mbi taksën. Në qoftë se ne përgjysmuam taksën e tyre vendosëm nivelin më të ulët të taksave në botë për bizneset e vogla, qeveritë vendore e kanë rënduar në mënyrë shumë të ndjeshme dorën. Sot një javë, zoti ministër i Financave në këtë mbledhje do përcaktojë të gjitha qëndrimet ligjore ndaj kësaj manie të rritjes së taksave të biznesit të vogël. Qeveria ka katërfishuar grantin për qeveritë vendore, ç’ka do të thotë se ato në asnjë rrethanën në asnjë arsye nuk kanë për të qenë abuziv me barrën fiskale ndaj biznesmenëve të vegjël dhe vetë qeveritë vendore mund ta shqyrtojnë, ju bëj thirrje. Por nga ana tjetër i siguroj se ne do ndërhyjmë në favor të biznesit të vogël. Janë sot jo 1, por më shumë se 1/3 e vendeve edhe anëtare të Bashkimit Evropian që po vendosin uljen e rrogave, uljen gjer në 10% sepse parashikimet buxhetore për shkak të krizës dh tensionit nuk realizohen. Ne absolutisht do t’i rrisim rrogat dhe do të bëmë rritjen më të madhe që kemi bërë ndonjëherë.”

Në mbledhjen e qeverisë kryeministri përmendi dhe një tjetër vendimmarrje të rëndësishme sipas së cilës qytetarët e vendeve Shengen mund të hynë në Shqipëri pa pasur nevojë për një vize. Një vendimmarrje kjo që lidhet dhe pamundësinë e vendit për të përballuar mbulimin me  shërbim konsullor.

Sali Berisha: “Duhet të zgjerohet maksimalisht lista e vendeve qytetarët e të cilëve marrin viza dhe në kufi. Ne jemi vend me një ambasadë në Afrikë, me dy ambasada psh. Pse do të vijë tek ne ai, kur i duhet të shkojë nga Afrika e Jugut në Egjipt për të marrë vizën.”

Në përfundim te komunikimit mediatik kryeministri ju rikthye edhe një herë çështjes së taksave vendore.  Berisha theksoi se sinjalet për këtë situatë shqetësuese vijnë nga biznesi i vogël i gjendur në vështirësi për të  përballuar koston e mbijetesës në treg./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi