Histori me zhurmues – Pandeli Zografi me profesion topograf, i punësuar në tharjen e Kënetës së Maliqit ishte një nga të dënuarit për sabotim të punimeve.

Ai po ashtu akuzohej se kishte patur lidhje me agjenturën anglo-amerikane, të kryesuar nga Harry Fultz. Më 18 Nëntor 1946, Gjykata e Lartë Ushtarake e Tiranës e dënon atë me burgim të përjetshëm.

Por ja çfarë dëshmon Dhimitër Zografi, biri i Pandeli Zografit në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço.

“Kam qenë 6-7 vjeç në atë periudhë, nuk mbaj mend shumë gjëra, por mbaj mend dy aspekte të rëndësishme. Mbaj mend momentin kur është dhënë pretenca, britmat e dhimbjes së nënës kur u tha se do pushkatohej dhe një moment “gëzimi” kur në vend të pushkatimit u dënua me burgim të përjetshëm. Më vonë mbaj mend gjërat që na ndodhnin pas arrestimit të babait. Mospërfillja e bashkëmoshatarëve në shkollë, më largonin nga vendi që meritoja.

Unë isha nxënës shumë i mirë, por e kam ndjerë shumë thellë diskriminimin sepse kisha babain në burg. E kam ndjerë në shpinë të shikuarit vëngër nga rrethi i diktaturës. Kam ndjerë edhe keqardhjen, por nuk kishin çfarë të më bënin. Ata që na ndihmonin dhe na mbështesnin të gjithë e bënin në fshehtësi. Pas arrestimit të babait ne na çuan tek Kulla e hirit në Korçë në një kalibe. Nënën e kanë përndjekur vazhdimisht, e tallën kur kërkoi të punonte si mësuese pas arrestimit të babait. Më vonë punoi në rrobaqepësi dhe më pas e hoqën dhe vendosi të punonte në shtëpi.

Mbaj mend letërkëmbimin me babain, vinin të gjitha letrat me ‘a’ të madhe dhe ‘p’ të madhe, gjë që nënkuptonte Armiku i Popullit. Ja çfarë diskriminimi na bëhej. Një herë në muaj merrnim letra prej tij, nuk dinim si ishte. Babai nuk ka lënë kamp pa punuar, edhe në Rinas ka punuar. Atje u sëmur dhe në fund u shtrua në spitalin e burgut dhe u lirua pas 14 vitesh dhe e çuam tek senatoriumi, hynte e dilte shpesh derisa vdiq. Ai doli nga burgu, por dënimi me vdekje ishte dhënë që në burg me dy mënyra, me burgimin e përjetshëm dhe me punën si skllav që bënte atje. Më vonë mua më kërkuan të bëhesha spiun, por unë isha rritur me idene se të gjitha të këqijat që na kishin ndodhur kishin ardhur nga spiunët dhe kisha një tmerr prej tyre. Sigurisht që nuk pranova, pas një 10 orëshi në komisariat, Koço Kosta një burrë mizor më la dhe kur kam dalë jashtë kam parë nënën time të kërrusur e të mbledhur teksa më priste mua.

Edhe më vonë më kanë propozuar të bëhesha spiun dhe sërish nuk kam pranuar. Kam jetuar nën një presion psikologjik jashtëzakonisht të madh. Prisja gjithnjë një të keqe të madhe dhe kohët e fundit kam gjetur një dokument në arkivat e shtetit një listë me emrat e intelektualëve më të rrezikshëm dhe një ndër ta isha edhe unë. Pyesja nënën time se çfarë kishim bërë që na trajtonin kështu dhe ajo më thoshte: S’kemi bërë asgjë bir, gjithçka është një farsë me qëllime të qarta.

Gjyqi i Maliqit ishte bërë për të mbështetur largimin e misionit Amerikan dhe fuqizimin me Bashkimin Sovjetik. Zgjodhën njerëzit që kishin mendime amerikane dhe që kishin përfunduar studimet tek “Harry Fultz””, tha Dhimitër Zografi.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al