“Është në interesin e BE-së integrimi i Ballkanit Perëndimor”

Procesi i Berlinit i inicuar nga kancelarja Angela Merkel në vitin 2014 si një nismë për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së do të vazhdojë edhe pas largimit të saj nga pushteti. Këtë mesazh e përcolli vet kancelarja gjermane gjatë konferencës së përbashkët për median me presidentin serb Aleksandër Vuçiç të mbajtur të hënën në mbrëmje në Beograd, ku theksoi se një nga qëllimet e Gjermanisë është ti shohë 6 vendet ballkanike anëtarë të unionit. 

“Unë mendoj se çdo kancelar do të avokojë për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Jo vetëm Gjermania organizoi konferencë në lidhje me procesin e Berlinit, vendet e tjera gjithashtu u përfshinë. kështu që unë besoj se kjo do të vazhdojë”.

Por ajo nënvizoi gjithashtu se pavarësisht përparimit që kanë bërë vendet ballkanike në rrugën e integrim, ato kanë ende rrugë të gjatë përpara.

“Ne anëtarët e Bashkimit Europian, duhet të kemi parasysh se është në interesin tonë absolut gjeostrategjik që t’i përfshijmë këto vende në Bashkimin Europian”.

Dhe për Serbinë një nga pengesat drejt këtij synimi vijon të mbetet ende njohja e kosovës si shtet I pavarur.

“Disa çështje do të zgjidhen në fund të procesit. Të gjithë e dinë se jo të gjitha vendet e BE -së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Unë jam për një qasje pragmatike. Kjo çështje nuk do të zhduket, duhet të zgjidhet”.

Këtë e ka të qartë edhe vet presidenti Vuçiç i cili u shpreh i gatshëm për kompromis me Kosovën, por duke theksuar se ai nuk duhet të jetë shkatërrues për Serbinë.

“Ne jemi gati për kompromis, për një zgjidhje kompromisi. Nëse pyetemi se a jemi të vetëdijshëm se nuk do të jemi vend anëtar i BE-së përpara zgjidhjes së çështjes, jemi të vetëdijshëm”.

Vizita e Merkelit në Serbi është ndalesa e parë e turit të saj të lamtumirës në Ballkan, para se të ndalojë në Tiranë ku do të marrë pjesë samitin e kryeministrave.

Tv Klan