Presidenti Ilir Meta ka dekretuar me shpallje 2 ligje, atë për “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe “Për miratimin e huamarrjes prej 139 300 000 SDR-sh që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë nëpërmjet instrumentit të financimit të shpejtë (RFI)”.

Konkretisht Meta ka dekretuar: Ligjin nr. 68/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 18, datë 23.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat””, të ndryshuar”.

Ky akt ka mundësuar shtyrjen e afateve të parapagimit të kësteve të tatimit mbi fitimin të vitit 2020, duke mbështetur bizneset në drejtim të administrimit të likuiditeteve. Këto masa vlerësohen si të nevojshme për rehabilitimin e subjekteve të prekura si pasojë e pandemisë së COVID-19, veçanërisht të bizneseve të vogla, me qarkullim nën 14 milionë lekë.

Po ashtu, edhe ligjin nr. 70/2020 “Për miratimin e huamarrjes prej 139 300 000 SDR-sh që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë nëpërmjet instrumentit të financimit të shpejtë (RFI)”.

Ky akt vjen si një masë mbështetëse nga Fondi Monetar Nnderkombëtar, përmes një instrumenti të financimit të shpejtë, po në përballim të pasojave që ka krijuar në ekonomi pandemia e COVID- 19. /tvklan.al