Kryeqyteti, vatra kryesore e Covid me 1717 të infektuar

Banorë më të relaksuar se ata të Tiranës në një situatë pandemie, vështirë të gjesh. Nuk është rastësi që statistikat i nxjerrin me numrat më të lartë të infeksionit në Shqipëri, sepse nuk duhet shumë kohë për një vëzhgim në kryeqytet dhe episodet e pakujdesisë i gjen kudo.

Në orët e pikut të vapës baret janë të tejmbushura me qytetarë që qëndrojnë duke biseduar në tavolinë pa asnjë masë mbrojtëse.

E njëjta gjë ndodh edhe në parqe. Të moshuarit, që janë dhe më të rrezikuarit, vazhdojnë të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit pa maska, me një kokefortësi të habitshme.

Në institucionet financiare, njerëzit qëndrojnë në radhë, por distanca mes tyre nuk i kalon disa centimetra larg.

Në stacionet e autobuzëve është thuajse e pamundur të qëndrohet në distancë, ndaj udhëtarët i sheh rëndom pranë njëri-tjetrit. Edhe pse mos vendosja e maskës në linjat urbane ndëshkohet me gjobë, ka nga ata që nuk e vendosin.

Edhe në afërsi të spitalit “Shefqet Ndroqi”, ku risku i infektimit është më i madh, sërish shikon qytetarë që qëndrojnë në grupe dhe pa maska, duke rrezikuar të infektohen.

Aktualisht në kryeqytet janë 1717 persona të infektuar me koronavirus, shumica e tyre po trajtohen nga mjeku i familjes në banesë, por gjasat janë që numri i të prekurve të vijë në rritje, për shkak se rregullat elementare të pandemisë vazhdojnë të mos respektohen.

Tv Klan