Shqipëria ka tashmë përfaqësinë  diplomatike në Indi. Vendi që shënon rritje të tillë ekonomike, që e rendit atë në vendin e dytë në botë menjëherë pas Kinës. 

Ministri shqiptar i punëve të jashtme Lulzim Basha ishte në një vizitë zyrtare disa ditore atje në një takim me autoritet e larta të këtij vendi ku vlerësoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dy palëshe në të gjitha fushat. Në këtë drejtim pa dyshim luan një rol vendimtar dhe hapja e ambasadës sonë në New Dehli.

Lulzim Basha: “Vizita vjen në kontekstin e hapjes së ambasadës së Shqipërisë në Indi. Dhe në këtë kontekst lajmi i mirë që mora nga ministri i punëve të jashtme të Indisë është se India brenda vitit që vjen do të hapë ambasadën e saj në republikën e Shqipërisë. Çka edhe njëherë dëshmon për përkushtimin e dy qeverive tona, për të rritur marrëdhëniet tona në një nivel të ri.”

Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë shënuar një rritje me 13 % vetëm gjatë këtij viti, një fakt që u konstatua në takimin që ministri Basha zhvilloi me homologun indian Pranab Mukherjee.  Dy zyrtaret e lartë e panë këtë si mundësi për teë shënuar një tjetër fazë të bashkëpunimit ekonomik.

Lulzim Basha: “India është një ndër ekonomitë më të mëdha të botës dhe një nga ekonomitë që vazhdon të rritet me ritme shumë të shpejta 8 deri 9% dhe në këtë kuadër bashkëpunimi në fushën e tregtisë, në fushën e investimeve. Veçanërisht në aspekte të tilla si fusha minerare, energjetike, farmaceutike. Në theks i veçantë u vendos edhe tek bashkëpunimi në fushën e teknologjisë së informacionit. Ku India ka vendosur tashmë rolin e një lideri global dhe në këtë kuadër ramë dakord për nënshkrimin e 3 marrëveshjeve. Të marrëveshjes për eliminimin e taksimit të dyfishtë.”

Si  një ndër 12 ekonomitë më të mëdha në botë dhe një numër popullsie që parashikon t’ia kalojë dhe Kinës, 15 vitet e ardhshme dëshmojnë parashikime dhe me optimiste duke e shndërruar atë në një superfuqi botërore.

Kosova ishte një nga çështjet tek e cila dy kryediplomatët u ndalen gjatë. Ndonëse India nuk e ka njohur ende zyrtarisht pavarësinë , u vlerësua fakti se ky vend pas shpalljes së tij si shtet më vete ka ndikuar pozitivisht  për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.

Ne këtë funksion kreu i diplomacisë shqiptare garantoi se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj si faktor stabiliteti, duke nxitur bashkëpunimin, moderacionin, si dhe dialogun konstruktiv në funksion të objektivave të përbashkëta me vendeve e rajonit për integrim Euroatlantik.

India dhe Shqipëria synojnë po aq te nxisin bashkëpunimin kulturor. Fakt domethënës në këtë drejtim është dhe konstatimi se Ustad Isa Mehmet, njëri prej arkitekteve të Taxh Mahalit, është me origjinë shqiptare.

Në të njëjtën linjë u përmend dhe Nënë Tereza , gjithashtu me origjine shqiptare, ku dy ministrat e vlerësuan si një thesar të përbashkët të të dy popujve.

Në shenjë nderimi për këtë grua të shenjtë gjatë qëndrimit në Indi ministri Basha zhvilloi një vizitë në Kalkuta, ku bëri homazhe para  memorialit të Nënë Terezës dhe vizitoi Urdhrin e Saj. /tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi