Ministria e Mjedisit u ka lënë 20 ditë kohë afat industrive të përpunimit të hekurit dhe çimentos në Elbasan për të instaluar filtrat e parandalimit të ndotjes, në të kundërt atyre do t’u pezullohen licencat. Pas inspektimit nga afër të parametrave të ndotjes në këto kompani zv/ministri i mjedisit Aleksandër Garuli, ka bërë publike masat që u janë komunikuar operatorëve Darfo, Kururm dhe ECF.

Aleksandër Garuli: “Vërtetë që këto janë veprimtari të cilat kanë, kërkojnë një mbështetje padyshim nga shteti, sepse një pjesë e mirë elbasanase punojnë aty, por ky nuk duhet të përbënte kurrë një kusht që shteti të lejonte, që pavarësisht nga interesi që kemi për punën e tyre, shteti të lejonte që ato të kthehen në subjekte, subjekte që ndotin ambientin. Strukturat tona në Elbasan kanë detyrë të përhershme të përditshme kontrollin e emetimeve të ndotjeve nga këto subjekte”.

Elbasani renditet si një nga zonat më të ndotura në vend dhe për këtë fakt instalimi i sistemeve të filtrimit është i detyrueshëm. Ulja e ndotjes dhe vendosja e tyre në parametrat e duhura është dhe një nga kërkesat kryesore të BE./tvklan.al