Qeveria e Kosovës është ende në fillim të procesit të përgatitjes për t’iu qasur dialogut me Serbinë në Bruksel dhe ajo do të kërkojë bashkëpunimin me partitë politike dhe liderët opozitarë, tha zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Një takim të mundshëm në fund të muajit qershor, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si shenjë e rifillimit të dialogut ndërmjet të dyja palëve, e ka paralajmëruar përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në fund të muajit prill.

Kryeministri Kurti ka konfirmuar se do të marrë pjesë në rifillimin e dialogut, por ka kërkuar kohë për përgatitje për këtë proces.

Njohësja e zhvillimeve politike nga Prishtina, Jeta Krasniqi, vlerëson se ende nuk është e qartë se cili do të jetë pozicioni i Kosovës në dialog, por edhe se cila do të jetë ecuria e procesit të dialogut, marrë parasysh që, sipas saj, Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i procesit, nuk ka dhënë sinjale të qarta se si do t’i stimulojë palët për të arritur rezultate konkrete në dialog.

Ngjashëm vlerëson edhe njohësi i zhvillimeve politike nga Beogradi, Dushan Janjiq, i cili shpreh mendimin që palëve u mungon vullneti politik për të shkuar drejt një dialogu, përfundimi i të cilit “nuk duket në horizont”.

Kryeziu: Gjatë majit, konsultimet me subjektet opozitare për dialogun

Dialogu me Serbinë është çështje e interesit nacional për Kosovën dhe ky proces duhet të përgatitet mirë dhe jo shpejt, tha zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

“Jemi në fillim të procesit (të përgatitjes). Po analizojmë gjithçka që është arritur nga qeveritë e kaluara, ashtu që për takimet e ardhshme të jemi të informuar mirë dhe t’i adresojmë drejt çështjet me interes për Kosovën. Kemi thënë që për çështje me interes nacional do të konsultohemi dhe kërkojmë bashkëpunim me partitë dhe liderët opozitarë. Dialogu është temë me interes nacional”, ka theksuar Kryeziu.

Ai ka shtuar se edhe kryeministri Kurti e ka konfirmuar që gjatë muajit maj, në një kohë të përshtatshme për të gjithë, do të fillojë konsultimet me subjektet opozitare në kuvend.

Krasniqi: E paqartë se si do të zhvillohet dialogu

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pala e Kosovë ka shprehur qëndrimin për rinisje dhe jo vazhdim të procesit të dialogut. Por, sipas saj, se çfarë do të thotë rinisja e dialogut, mbetet të qartësohet në fund të qershorit, për kur edhe është paralajmëruar takimi ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.

Ajo rikujton që Qeveria e Kosovës, në programin e saj qeverisës, ka paraparë rishikimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialogun me Serbinë, për të parë shkallën e zbatimit të tyre.

“Ne duhet të kemi më shumë sqarime se çfarë do të thotë kjo. Pra, a do të rinegociohen ato, a do të tentohet që të zbatohen këto marrëveshje, cilat janë temat e veçanta që Kosova do t’i shtrojë, përveç atyre temave që ka pajtim në mes palëve, si dhe cili është pozicioni i Serbisë? Kjo sepse, Kosova e ka përmendur gjithashtu edhe padinë ndaj Serbisë për gjenocid. Pra, është ende e paqartë se si do të zhvillohet procesi. Ende nuk e dimë se cilat janë ato tema, përkundrejt këtyre që tashmë e dimë se janë diskutuar dhe që mund të jenë pjesë e dialogut”, theksoi Krasniqi.

Janjiq: Po shmanget njohja e ndërsjellë

Por, Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se për çështjet politike tashmë ekzistojnë marrëveshjet e arritura në dialogun në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilat është negociuar në vitet 2014 dhe 2015. Ai vlerëson që në dialogun që pritet të rinisë, nuk pret se do të bisedohet për temat që duhet të jenë ato kryesore në këtë proces.

“Dy temat kyçe, të cilat po shmangen. Pra, pikërisht njohja e ndërsjellë, sepse – qoftë si shtete, qoftë si palë negociuese – ato ende quhen Prishtinë dhe Beograd. E dyta, ajo që është e rëndësishme këtu, nëse gjykojmë sipas platformave të paralajmëruara, Kosova e ka një të tillë të miratuar në kuvend. Mbetet pikëpyetje se a do të mundësojë apo do të pengojë dhe ta bindë Kurtin që të mos e ndryshojë platformën. Për sa i përket Beogradit, kushdo që e di se çfarë platforme ka, le të lajmërohet”, tha Janjiq.

BE-ja “të ofrojë karotat”

Të dy njohësit e zhvillimeve politike, Krasniqi dhe Janjiq, vlerësojnë se deklaratat e mëhershme të përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, se procesi i dialogut mund të përmbyllet brenda muajve me një marrëveshje përfundimtare ndërmjet palëve, ka qenë vlerësim i ngutshëm dhe i pasaktë.

Jeta Krasniqi shpreh mendimin se Bashkimi Evropian duhet të ketë qëndrim më të qartë përballë palëve që janë pjesë e procesit të dialogut. Sipas saj, Bashkimi Evropian, nuk ka më në dispozicion “karota”, të tilla siç i kishte në të kaluarën, për të shtyrë palët drejt kompromiseve dhe arritjes së marrëveshjeve. Për më shumë, sipas saj, agjenda e zgjerimit e Bashkimit Evropian, e cila është shtysa më stimuluese për palët në dialog, nuk është duke i përdorur nga vet Bashkimi Evropian për t’i shtyrë palët drejt kompromiseve dhe marrëveshjes përfundimtare.

“Bashkimi Evropian duhet të shoh që këtë ta rifreskojë dhe ta përdorë që t’i shtyrë palët për të arritur një kompromis dhe për të arritur marrëveshjen. Pra, Kosovës duke i dhënë perspektivën e qartë evropiane, duke i hapur mundësinë për t’u bërë shtet kandidat, ndërkohë që edhe ndaj Serbisë duke e bërë të njëjtën gjë. Pra, të jetë BE-ja ajo që ofron ato ‘karotat’ dhe jo domosdo ajo që po e dëgjojmë gjatë gjithë kohës të thuhet se Kosova duhet të jetë ajo që duhet të bëjë kompromiset, për të përmbushur egot apo për të shpëtuar fytyrën e Serbisë në këtë proces”, theksoi Krasniqi.

“Optimizëm joreal” për marrëveshje të shpejtë

Por, një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Dushan Janjiqit, është vështirë të arrihet për një kohë të shkurtër. Çështjet që, sipas tij, pritet t’i shtrojnë palët për t’i negociuar, janë të shumta dhe do të marrin po ashtu shumë kohë. Çështjet që priten të shtrohen nga palët, sipas tij janë: fondet pensionale, sociale, të shëndetësisë, kompensimi i pensioneve dhe sigurimeve të papaguara, çështjet pronësore të kompanive dhe të personave privat, çështja e kompensimit të dëmeve të luftës dhe të tjera.

Siç thotë Janjiq, do të shtrohen çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, të trashëgimisë kulturore dhe të pozitës së Kishës Ortodokse Serbe. Po ashtu, negociatat, siç vlerëson Janjiq, do të përfshijnë edhe çështjet e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe në fund, çështja e statusit dhe demarkacionit ndërmjet dy vendeve.

“Pra, vetëm po t’i numërojmë këto çështje, ne e shohim se bëhet fjalë për optimizëm joreal dhe tregojnë për një mosnjohje të situatës nga Lajçaku dhe të tjerët, të cilët i dëgjojmë tash e 20 vjet, se kinse për dy apo tre muaj punë, e gjithë kjo mund të përfundojë. Jo zotërinj, juve ju duhen dy deri tre muaj që t’i hidhni në letër të gjitha çështjet me të cilat duhet të merreni. Por, kjo nuk është bërë”, u shpreh Janjiq.

Ai shtoi se edhe po të arrihej marrëveshja, në mënyrë hipotetike, do të nevojitet krijimi i mekanizmave për zbatimin e saj, ndërkaq që vet zbatimi i marrëveshjes do të merrte të paktën dy vjet kohë, si dhe ndryshimin e kushtetutave të të dyja vendeve, që po ashtu merr një kohë të caktuar.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të organizojë darkën tradicionale në Bruksel për liderët e Ballkanit Perëndimor, ku pritet të jenë edhe kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq.

Borrell ka theksuar se “nuk mund të shkohet në pushimet verore pa vazhdimin e dialogut”, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka paralajmëruar se takimi ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit pritet të ndodhë në fund të qershorit./REL