Pa rezultat takimi i Mendes me Juventus

Ende e paqartë e ardhmja e Cristiano Ronaldo. Paraditen e kësaj të enjteje menaxheri i tij Jorge Mendes ishte i pranishëm në zyrat e klubit të Juventus i thirrur në takim nga drejtuesit kryesor për të qartësuar situatën e futbollistit.

Është çështja më e nxehtë e momentit në merkaton e Verës dhe asgjë nuk i duhej lënë rastësisë apo nënkuptimeve.

Mediat italiane raportojnë se takimi ka zgjatur rreth 1 orë e gjysmë dhe nuk ka prodhuar asnjë rezultat domethënës. Mendes ka referuar mbi interesimin e Manchester City dhe PSG edhe pse nuk ka tregiar shifra apo oferta konkrete prej tyre.

Nga ana tjetër pala italiane kërkon që të mbyllë sa më shpejt këtë çështje: ose Ronaldo do të qëndrojë me të njëjtat kushte ose të largohet pasi Juve të jetë paguar për kartonin e tij në shumën 28 – 30 milionë Euro.

Koha është e shkurtër dhe kampionati ka nisur kështu që zyrtarët e klubit bardhezi duhet të sigurojnë trajnerin Allegri për grupin e futbollistëve që do të ketë në dispozicion për gjithë sezonin.

Mësohet se Cristiano Ronaldo është parashikuar që të zbresë në fushë me Juven që nga minuta e parë në ndeshjen ndaj Empolit e parashikuar për këtë të shtunë.

Tv Klan