Mbetet problematike situata e përmbytjeve

Mëngjesin e kësaj të hënë reshjet intensive të dëborës në juglindje ia kanë lënë vendin diellit dhe temperaturave të ulëta. Megjithatë të gjithë akset nacionale që lidhin Korçën me qytetet e tjera janë të kalueshme vetëm me zinxhirë për shkak të prezencës së akullit.

Edhe akset turistike të Dardhës dhe Voskopojës qarkullohen vetëm me zinxhirë. Nga bora vijojnë të mbeten të izoluar fshatrat e Mokrës në Pogradec, Panariti Shtylla dhe Vithkuqi në Korçë dhe fshatra te thelle malore te bashkisë se Maliqit.

Segmenti rrugor qe të çon në doganën e Qafë Thanës është i hapur në një korsi, ndërsa mjetet udhëtojnë të shoqëruara nga një borëpastruese. Dhjetëra udhëtarë po qëndrojnë prej së dielës në tokën neutrale në pritje të hapjes së rrugës.

Në aksin rrugor Cërrik-Gramsh ka pasur ngrica në kthesa të forta teksa edhe në aksin rrugor Librazhd-Steblevë qarkullimi kryhet vetëm me zinxhirë. Teksa edhe situata e përmbytjeve vijon të jetë problematike në zonën e Shkodrës me 4700 Ha nën ujë.

Në zonën e Dajçit janë të përmbytura 9 shtëpi, ndërsa rrugët e fshatrave janë të pakalueshëm me mjete të vogla. Problematike është situata edhe në Njësinë Administrative Bërdicë.

Tv Klan