Autori që vrau 2 persona dhe plagosi 21 të tjerë në ditën e LGBTQ+ ishte me origjinë iraniane dhe akuzohej për ekstremizëm

Njerëz që vrapojnë të tmerruar nga të shtënat e një 42-vjeçari në Oslo të Norvegjisë teksa po festonin të ashtëquajturën “Ditën e Krenarisë”, ose LGBTQ+.

Të shtënat e njëpasnjëshme ndodhën në tre vende në qendër të Oslos, duke përfshirë një bar homoseksualësh, disa orë përpara fillimit të festimeve për këtë komunitet, të cilat u anuluan megjithëse disa mijëra njerëz ecën rrugën e paradës së kryeqytetit në shenjë solidariteti.

Nga sulmi mbetën të vrarë 2 persona dhe u plagosën 21 të tjerë. I dyshuari për vrasje, sipas autoriteteve norvegjeze është Espen Andersen Bråthen, i cili ishte nën vëzhgimin e Inteligjencës Norvegjeze që nga viti 2015. Espen prej kohësh akuzohej për radikalizëm. Policia pas sulmit e arrestoi autorin dhe e transferoi atë në shërbimin shëndetësor publik mes shqetësimeve për shëndetin e tij mendor.

Mediat norvegjeze raportuan se i dyshuari ishte me origjinë iraniane dhe kishte mbërritur në Norvegji që fëmijë. Autoritetet policiore dhe shërbimi i inteligjencës bëri të ditur se 42-vjeçari kishte “një histori të gjatë dhune dhe kërcënimesh si dhe prej shumë vitesh bënte pjesë në një rrjet ekstremist islamik.

Gazeta Verdens Gang raportoi se i dyshuari ishte dënuar më parë për sulm të rëndë, posedim të paligjshëm të armëve dhe për vepra penale të lëndëve narkotike dhe gjithashtu ishte hetuar për tentativë vrasje.

Niveli i alarmit për terror në Norvegji tani është ngritur në nivelin e tij më të lartë, megjithëse shërbimi i inteligjencës i vendit tha se aktualisht nuk kishte “asnjë indikacion” për sulme të mëtejshme. Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen shkroi në Twitter se ishte “e tronditur nga sulmi me motive ekstremiste ndaj njerëzve të pafajshëm”, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh se Europa duhet të qëndrojë më e fortë kundër urrejtjes”.

Kombi nordik prej 5.4 milionë banorësh ka shkallën më të ulët të krimit në krahasim me shumë vende perëndimore, megjithëse ka përjetuar të shtëna të motivuara nga urrejtja, duke përfshirë ekstremistin e djathtë Anders Behring Breivik që vrau 77 njerëz në 2011.

Klan News