Të ftuar: Kryeministri Edi Rama, Edona Bilali, kandidate e PS në Shkodër; Lavdrim Krashi, kandidat i PS në Dibër; Bojkena Basha-PS Durrës (Jo kandidate); Bora Muzhaqi, kandidate e PS në Tiranë.

Gazetarët: Robert Rakipllari, Mirela Milori, Fatjona Mejdini dhe Artan Hoxha.

Akuzat për shitblerje votash nga Elbasani në Maqellarë, Rama: Strategji për të ndotur PS-në nga ata që i kanë duart me gjak

Partia Demokratike bllokoi këtë të enjte një makinë në Maqellarë të Dibrës mbi dyshimet se personat që ishin në të shpërndanin para për të blerë vota. Në lidhje me këtë ngjarje, kryeministri Edi Rama u shpreh se këta persona janë ndaluar. Ai theksoi se nëse provohet që ata kanë kryer krim do të dënohen. Sipas tij, gjyqin në media të këtyre personave e bëjnë vetëm ata “që kërkojnë rrumpallë”.

Blendi Fevziu: Ju jeni shtet, keni polici, prokurori, kapini këto struktura. Ata janë kapur pas insistimit të militantëve.

Edi Rama: Kjo nuk është e vërtetë sepse sapo policia është lajmëruar ka shkuar në vendngjarje, ka marrë edhe prokurorinë dhe personat janë ndaluar dhe janë në prokurori, por gjyqin atyre në media mund t’ia bëjnë vetëm ata që kërkojnë rrumpallë. Do të flasë prokuroria, do të flasë drejtësia dhe cilët do të jenë ata të shkojnë aty ku e kanë vendin nëse provohet. Personat që janë kapur janë të ndaluar dhe po investigohen.

Sa i përket akuzave për shitblerje votash nga opozita, Rama tha se është strategji për të ndotur procesin zgjedhor dhe PS-në. Kryeministri u shpreh se drejtuesit e PD-së i kanë duart me gjak pas asaj ngjarje që ndodhi në Elbasan ku humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë.

“Akuzat që ngrihen janë pjesë e të njëjtës strategji që vazhdon për të ndotur maksimalisht me çdo çmim procesin dhe natyrisht PS-në, ndërkohë që ata që kanë bërë akuzat sot i kanë duart me gjak. Kanë vrarë një njeri dhe është plagosur një police”.

Rama tha ndër të tjera se Partia Demokratike ka pranuar që ka një strukturë të armatosur që kanë vrarë një njeri dhe kanë plagosur një efektive.

Rama: Këta nuk do ta pranojnë në paqe rezultatin e 25 Prillit

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga emisioni “Opinion” se opozita nuk ka për ta pranuar në paqe rezultatin që do të dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit. Kjo histori sipas Ramës është përsëritur në zgjedhjet e vitit 2017. Ai u shpreh i sigurt për fitoren e PS-së dhe shtoi se Shqipëria nuk mund të qëndrojë me “me varr të hapur” sa herë që humb opozita.

“Zgjedhjet po të kujtoj të vitit 2017 nuk janë kontestuar xhan. Kanë mbaruar, ka ardhur vera, janë bërë pushimet, ka filluar një garë në PD dhe ka filluar avazi. Unë po të them që këta që shoh unë këtu nuk kanë për ta pranuar në paqe rezultatin kur të dalë. Do të dalë rezultati, problem i madh dhe do fillojnë të lidhin të gjithë ato gjërat bashkë, do vijnë dhe Artani e Rakipllari bashkë dhe do fillojë historia nga e para. Prandaj më 25 Prill shqiptarët masivisht duhet t’i japin fund kësaj historie t’i lënë të vdekurit të varrosin të vdekurit kur thotë Jezu Krishti se nuk mund të rrijë Shqipëria me varr të hapur sa herë humbasin këta”, tha Rama.

Rama sqaron ftesën: Nuk i ve limite bashkëqeverisjes me Bashën

Bashkëpunimi me Bashën do mbështetet mbi frymën, parimet, piketat dhe pse jo bashkëqeverisjen”

Kryeministri Edi Rama sqaroi mbrëmjen e kësaj të enjteje në Opinion, ftesën që i drejtoi pak ditë më parë Lulzim Bashës për bashkëpunim pas zgjedhjeve të 25 Prillit.

Blendi Fevziu: Si e shihni ju bashkëpunimin me Bashën?

Edi Rama: Unë mendoj që me fitoren e PS me 25 Prill dhe me daljen nga tuneli i pandemisë, ne duhet të bëjmë çmos të dalim edhe nga tuneli i pandemisë politike që na ka nxirën jetën gjithë këto vite. Për Shqipërinë është një problem shumë i madh dhe duhet të shkojmë përtej politikës së deritanishme, duke e civilizuar politikën, duke e ndërtuar bashkëpunimin midis fituesve dhe humbësve të 25 Prillit që do të thotë mes PS dhe PD, se LSI nuk e kam fare në këtë ekuacion, në mënyrë që energjitë tona të bashkohen për të çuar përpara projektet që kemi dhe për të përballuar sfidat e mëdha.

Blendi Fevziu: Në çfarë forme bashkohen energjitë tuaja?  

Edi Rama: Bashkëpunimi, midis qeverisë dhe opozitës, unë mendoj që bëhet i mundur në momentin kur PD merr goditjen e radhës, pra do humbasë për herën e tretë që i bie në fakt hera e pestë se ka humbur 5 herë rresht që nga viti 2013. Në atë moment unë shpresoj që PD do të reflektojë më në fund lidhur me vetveten dhe do të kuptojë që politika bjeri t’i biem të gjithë në një vrimë dhe nga vrima del dhe gryka e pushkës, vret dhe njerëz, nuk të çon asgjëkundi jo më në pushtet, dhe do të jetë e hapur për të ndërtuar një proces bashkëpunimi.

Blendi Fevziu: Në bashkëqeverisje apo jashtë?

Edi Rama: Po cila bashkëqeverisje? Ndërtohet njëherë bashkëqeverisja midis qeverisë dhe opozitës, nuk do të thotë të dyja palët ulur në qeveri. Do të thotë një frymë, që po duhet bashkëpunuar, po duhet shkruar përtej kësaj marrëzie, po duhet t’i vëmë energjitë në funksion të shqiptarëve, dhe jo sherreve mes nesh, duhet t’u japim arsye të besojnë tek Shqipëria, të energjizohen me gjërat që bëjmë. Pastaj mbi ketë frymë vendosen parimet, piketat se ku duhet të shkojmë më tutje duke vënë forcat bashkë në aspektin e reformave, e pastaj në proces, janë hapa që kërkojnë vite këto…

Blendi Fevziu: Më pas, deri ku shkon ky proces?

Edi Rama: Nuk i ve limit unë fare.

Blendi Fevziu: Nuk i vini limit, edhe bashkëqeverisjen e përfshini?

Edi Rama: Absolutisht. Nuk ve asnjë limit.

Audiopërgjimi, Rama për Lamen: Kur flet ka përshkallëzime linguistike që nganjëherë është që të marrësh atë shkopin e Fevziut edhe t’ia…

Në studion e “Opinion”, Kryeministri Edi Rama u pyet edhe për një audiopërgjim të publikuar dy ditë më parë ku dëgjohej kreu i ALUIZNI-t Artan Lame, i cili u jepte direktiva vartësve të tij, që të mbanin me shpresë banorët që donin të legalizonin 100 mijë objekte pa leje.

Teksa përsëriti qëndrimin e vetë Lames, i cili sqaroi se kjo bisedë ishte zhvilluar në vitin 2017-të, Rama tha se kush e njeh Lamen e di fare mirë se “kur flet ka përshkallëzime linguistike që nganjëherë është që të marrësh atë shkopin e Fevziut edhe t’ia… ”

Blendi Fevziu: Kreu juaj i ALUIZNI-it, i është publikuar një bisedë e tij me punonjësit

Edi Rama: Për çfarë e nxjerr këtë? Pse nxjerr këtë, ndërkohë që kreu i ALUIZNI-it, ka bërë një shpjegim të qartë.

Blendi Fevziu: Po që është e vitit 2017.

Edi Rama: Ka bërë një shpjegim të qartë dhe ka thënë kjo bisedë është e vitit 2017 dhe këtë të ka thënë ty dhe të gjithë gazetarëve që ju të verifikoni kohën e kësaj bisede, që nuk verifikohet dot sepse në telefon t’i nuk e di, ka thënë shikoni çfarë diskutohet aty lidhur me boshllëqet ligjore dhe shikoni ligjin e ri që është bërë më vonë. Dhe kjo është çështje e mbyllur.

Blendi Fevziu: Tani e 2017-s dakord, e marr të mirëqenë këtë. Ka të drejtë një drejtues shtetëror të thotë që kemi nja 100 mijë që nuk kemi ç’i bëjmë po gënjeni njëçikë sa të kalojnë zgjedhjet? Qoftë në 2017?

Edi Rama: Ore zotëri, edhe njëherë tjetër. E para punës njëherë ajo bisedë nuk është bërë para zgjedhjeve, e para. E dyta, për votat për tjetrin flitet rregullisht në të gjitha kabinetet e botës dhe nga të gjithë sepse… Dhe e treta, e njeh Artan Lamen ti?

Blendi Fevziu: Unë e njoh Artan Lamën më mirë se ju, edhe më herët se ju.

Edi Rama: Besoj e ndajmë bashkë mendimin që Artan Lamja kur flet ka përshkallëzime linguistike që nganjëherë është që të marrësh atë shkopin tat edhe t’ia…

Blendi Fevziu: Jo jo mua Artan Lame mu duk zyrtar serioz, që thotë 100 mijë legalizime nuk bëhen, sepse në fakt nuk bëhen sepse janë katastrofë një pjesë.

Edi Rama: Pse e nxjerr këtë tani, për çfarë e nxjerr për propagandë? Shiko sesi ndodh… sepse për këtë i zoti i punës ta ka dhënë shpjegimin ty si gazetar dhe ti nuk duhet ta nxjerrësh këtë tani për të bërë propagandë, sepse shpjegimi është shumë i qartë, sepse Artan Lame ka folur për ligjin e Saliut. Dhe Artan Lame ka thënë që me këtë ligj i bie që ne prishim kaq dhe të tjerëve t’i them nuk bëhet dhe ndërkohë ne kemi bërë ligjin e ri dhe prandaj ka një arsye pse numri i legalizimeve është rritur pasi është bërë kjo bisedë e Artan Lames.

Rama bën deklaratën: Nëse PS nuk ka një mandat të qartë, unë nuk jam

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë emisionit “Opinion” këtë të enjte se nuk do të ndërtojë një qeveri nga halli. Kreu i qeverisë tha se “nëse Partia Socialiste nuk ka një mandat të qartë, unë nuk jam” duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit Fevziu se çfarë do të ndodhë pas 25 Prillit nëse ai humb.

Edi Rama: Mua nuk më intereson në asnjë formë pushteti apo politika që nuk lidhet me një fitore dhe me një mandat të qartë sepse unë nuk hyj tek ata që i kemi parë, Saliu është i fundit, por historia e shqiptarëve ka pasur shumë kasapë që për pushtetin merrnin jetë njerëzish, për karrigen bënin gjithçka dhe shpërfytyroheshin. Unë këtë mandat e kërkoj sepse besoj se janë vitet ku mund të ngjitemi në atë majë ku gjenerata jonë ka misionin ta çojë Shqipërinë. Kemi gjithë këto projekte që janë të kryera, që janë të financuara me kompani që dihet kush janë dhe punojnë. Kemi katër porta nga qielli dhe nga deti, kemi mundësinë ta bëjmë Shqipërinë eksportuese neto të energjisë. Kemi mundësi të mbyllim reformën dhe sistemin e administratës shtetërore në telefon. Kemi mundësinë të çojmë mbi 1 mld eksportet bujqësore. Këto na japin një tjetër Shqipëri. Nëse unë marr mandatin për këto, unë jam. Nëse unë nuk marr mandat për këto, unë s’jam. Pastaj vazhdojnë të tjerët.

Blendi Fevziu: Vetë s’je, por zotin Basha nuk do ta lesh?

Edi Rama: Ka dy lloj liderash kryeministrash…

Blendi Fevziu: Do iki tha po humba…

Artan Hoxha: Nuk do ushtroni më as mandatin e deputetit?

Blendi Fevziu: Ai thotë do iki, ç’rëndësi ka që thotë se do rri deputet

Edi Rama: Ka dy lloj liderash, kryeministrash, presidentësh, politikanësh. Ata që pushtetin e kanë qëllim dhe ata që e kanë qëllim pushtetin, ata të vrasin. Rrotullohen që të rrinë aty. Ata nuk kanë din e iman dhe e kanë vendin plaçkë. Ka dhe nga ata, janë më pak ata, por që pushtetin e kanë mjet. Mua më duhet mandati i tretë si mjet për t’u ngjitur më lart.

Blendi Fevziu: Kë quani humbje ju për ju? Cili është kufiri që ju largon nga kreu i PS-së.

Edi Rama: Çfarë po diskutojmë tani. Nëse Partia Socialiste nuk ka një mandat të qartë, unë nuk jam.

Blendi Fevziu: Që do të thotë që edhe 70-70 nuk jeni?

Edi Rama: Në qoftë se unë duhet të ndërtoj një shumicë qeverisëse nga halli, unë nuk jam.

Blendi Fevziu: Lëre pra tani se e bëri deklaratën.

Artan Hoxha: Nëse nuk keni 71 vota nuk do jeni më kryetar i PS-së? Keni ndryshuar statutin dhe nuk ikni nga kryetar nëse dilni parti e parë.

Edi Rama: Ka të drejtë. Ai shyqyr që u normalizua. Është një nga njerëzit që mund të bësh debatet më të bukura kur është normal. Apo deshe të zëvendësosh Artan Hoxhën e krimeve.

Artan Hoxha: Ai është heroi juaj, pse e keni zhvleftësuar?

Edi Rama: Keni shumë të drejtë. Unë dhe unë besoj që norma në demokraci është që partia e parë është partia fituese. Pra ti mund të marrësh 67. Tjetri nmund të marrë 62. LSI-ja 3-4 dhe mund të ketë ca të tjera. Kryeministri që ka numrin më të madh siç janë plot. Ai figura atje, në Hagë, e ka mandatin e katërt. Ai merr 23% dhe ka 43 parti atje dhe ai rri rrotullon ata. Janë tipa politikanësh që e bëjnë. Nëse unë nuk kam mandatin e qartë për të bërë realitet projektin dhe për t’ju thënë shqiptarëve më jepni 4 vjet t’u jap një Shqipëri tjetër bazuar në këto që po flasim dhe një Shqipëri tjetër në sensin që brenda kësaj dekade të bëhemi kampionë në Ballkan, unë nuk ja.

Blendi Fevziu: Ikën në shtëpi?

Edi Rama: Po. Ti realizon ëndrrën Rama ik. E realizove, iku.

Rama: Grupet e PD, si xhaketat kafe të Hitlerit. Prokuroria disponon video për ngjarjen në Elbasan

Strukturën për Mbrojtjen e Votës të Partisë Demokratike, Kryeministri Edi Rama e krahason me xhaketat kafe të Hitlerit.

“Nervozizmi i tyre është ekstrem dhe këto gjëra nuk amnistohen, amnistimi i një vrasje dhe relativizimi dhe historia që e ka fajin Taulant Balla, e ka fajin Edi Rama, se ku hyjmë ne në një histori të tillë, kur dy furgona të mbushur me ish-oficerë policie, të cilët janë vënë në dispozicion të një projekti ekstremist, njësoj ato xhaketat kafe të Hitlerit, që u krijuan ekzaktësisht me këtë teori, do të mbrojmë votën, edhe do luftojmë që vota jonë deformohet, edhe do t’ju shkojmë borgjezëve…”

Duke komentuar ngjarjen e rëndë të një dite më parë në Elbasan, Kryeministri tha më tej se personi që drejtonte makinën pa targa e cila u ndalua nga struktura e PD, nuk ka lidhje me blerjen e votave. Rama tha se prokuroria ka pamjet që e vërtetojnë këtë.

“Personi i cili është bllokuar në Elbasan, është marrë, është keqtrajtuar, nuk ka pasur asnjë lidhje fare, aq me këta që u vranëPër fat të mirë prokuroria disponon video, të komandantit të strukturës paramilitare, e cila përputhet plotësisht me dëshminë e marrë nga i ndaluari që nuk ka lidhje fare me ngjarjen, është një njeri komplet jashtë ngjarjes, forcat paramilitare kanë ndaluar një makinë që nuk ka lidhje me asgjë, dhe personi brenda është filmuar, i kanë vënë kamera para dhe policia e ka kapur dhe dëshmia e tij është simetrike me çfarë thotë në kamera. Si mund t’i thuash ti bandit. Kush janë këta që shkojnë ndalojnë njerëz në rrugë, që këtu fillon historia. Ore ju thoni pse u mblodhën njerëz? Mor pse u mblodhën njerëz, sepse këta kriminelë, ndaluan një qytetar pa lidhje dhe i kërkuan llogari. Kush janë këta që ndalojnë qytetarë në rrugë dhe kërkojnë llogari”./tvklan.al