Ahmetaj: Dëmi ekonomik do shkojë 1 miliard USD

Dëmi ekonomik që do t’i shkaktohet Shqipërisë për shkak të pandemisë së Covid-19 do të jetë 1 miliardë Dollarë.

Kështu është shprehur ministri Arben Ahmetaj në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan. Ahmetaj shtoi humbja ekonomike mund ta tejkalojë këtë shifër.

“Dëmi ekonomik këtë vit mund të shkojë -5%. Në shifra të Prodhimit të Brendshëm Bruto do shkojë gati 1 miliard Dollarë humbje brenda vitit. Unë mendoj që do jetë pak më e lartë, -8%, 1.3 miliardë Dollarë si dëm.

Ne kemi gati 90% të vendeve të punës të hapura. Është goditur kërkesa por është goditur edhe konsumi zinxhir. Ne po hapemi por jemi të kushtëzuar nga faktorët ekzogjenë. Ne jemi të kushtëzuar edhe nga hapja e rajonit dhe hapja e Europës. Hapja e tyre do na lehtësojë. Hapja jonë do lehtësojë disi”.

Pyetjet se kur do të rikthehet normaliteti, Ahmetaj ju përgjigj se kjo pritet të ndodh në muajt Tetor-Nëntor, ndërsa ekonomia shqiptare pritet të rikuperohet plotësisht në Shkurt 2021.

“Si në Shkurt të këtij vitit do jemi prapë në Shkurt të vitit tjetër. Ky është parashikim optimist. Do kemi një rënie, po në formën e V-së do kemi rritjen. Punësimi do rikthehet që në Qershor. Këtu kemi një element që ka të bëjë me turizmin. Ne turizmin do ta hapim kujdesshëm”.

Çfarë do të bëhet me paratë që ka sjellë BE-ja? Si përgjigjet Arben Ahmetaj

Ministri për Rindërtimin dhe koordinatori për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga pandemia, Arben Ahmetaj, deklaroi këtë të enjte se qeveria  po punon për një plan për rimëkëmbjen ekonomike.

Ministri nuk bëri të ditura shumë detaje, por gjatë emisionit “Opinion” i ktheu përgjigje një qytetari, i cili pyeste se çfarë do të bëhet me kontributet e Bashkimit Europian për Ballkanin, më konkretisht për Shqipërinë.

Ahmetaj tha se deri më tani bëhet fjalë për premtime nga ana e Bashkimit Europian. Ai u shpreh se në arkën e shtetit nuk ka ardhur ende asnjë para nga Europa.

Megjithatë, ai u shpreh se pritet që BE të sjellë në Shqipëri fillimisht një fond prej 80 milionë Eurosh dhe më pas në vjeshtë 100 milionë euro.

“Ka një plan ekonomik që po e ribën qeveria. Dua të jem shumë i sinqertë, akoma në buxhet të shtetit nuk ka ardhur asnjë lek. Akoma nuk ka ardhur asnjë lek. Edhe 180 milionëshi që do të vijë nga BE nuk ka ardhur akoma. Mendohet që do të vijë 80 milionë në Korrik dhe 100 milionë në vjeshtë. Deri tani jemi në kuadrin e premtimeve sa i përket Covid-it”, tha Ahmetaj.

Por ndryshe vijon situata me fondet e tërmetit, që sipas Ahmetajt me paratë e KE-së ka nisur ndërtimi i disa shkollave.

“Sa i përket mbështetjes për tërmetin janë 15 milionë Euro të Komisionit Europian që kanë filluar ndërtimin e 22 shkollave dhe KFV 11 milionë Euro dhe një sërë donatorësh të tjerë”, tha Ahmetaj.

Kurti: Grenell kishte me të rëndësishme kohën sesa tekstin e marrëveshjes me Serbinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti tha mbrëmjen e së enjtes në “Opinion” se i ngarkuari i Presidentit Trump për ndërmjetësim mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, kishte më të rëndësishme kohën sesa tekstin e një marrëveshje të mundshme mes dy vendeve.

Në intervistën me gazetarin Blendi Fevziu në Tv Klan, Kurti aludoi se Grenell kërkonte të arrinte një marrëveshje sa më parë mes dy vendeve, mundësisht para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA.

Ambasadori Grenell e kishte më të rëndësishme kohën e arritjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë sesa tekstin e asaj marrëveshje. Përderisa unë jam i fokusuar në shkrimin, tekstin e asaj marrëveshjeje, ai është i fokusuar në nënshkrimin e marrëveshjes sa më shpejt që është e mundur. Tashmë unë e kam të qartë se pas komunikimit tim me të, ai ka filluar që ta zhvendosë një lloj trysnie tek partneri im i koalicionit, që fatkeqësisht e braktisi marrëveshjen tonë të koalicionit dhe programin qeverisës.

Kurti: Ky ishte kulmi me Ambasadorin Grenell

I pyetur nëse Grenell kishte dorë në largimin e tij, Kurti tha “është e vërtetë që unë kam qenë në një komunikim intensiv me të, ku ambasadori Grenell ka pasur fillimisht qëndrimin se Kosova duhet të heqë taksën 100 për qind ndërsa Serbia duhet të ndalojë fushatën e ç’njohjeve të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Më pas këtë të dytën ai e braktisi pas një udhëtimi në Beograd, madje jo vetëm kaq, por sëfundmi u deklarua edhe kundër reciprocitetit ndaj Serbisë. Për mua ky ishte kulmi. Unë kam vazhduar të komunikoj me të në mënyrë konstruktive, pozitive, mirëpo unë nuk mund të pranoj që Kosova të mos ndërtojë marrëdhënie reciprociteti me Serbinë.

Albin Kurti tregon dëshmitarin: Si u vura në dijeni të marrëveshjes sekrete Thaçi-Vuçiç

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion”. Kurti i dha përgjigje pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu se nga e ka marrë vesh për një marrëveshje sekrete mes Thaçit dhe Vuçiçit, akuza që lideri i LVV-së i ka lëshuar më herët.

Kurti u shpreh se është vënë në dijeni për këtë marrëveshje nga një bashkëpunëtor i Presidentit Thaçi. Ky person, identitetin e të cilit Kurti nuk e bën të ditur, ka biseduar me një nga njerëzit më të besuar të Kryeministrit në detyrë.

Sipas tij, marrëveshja konsiston në shkëmbimin e disa territoreve në veri për Serbinë dhe marrjen e disa fshatrave për Kosovën. Megjithatë, Kurti tha se nuk ka fakte zyrtare për marrëveshjen sekrete.

Blendi Fevziu: Çfarë dini ju për këto bisedime sekrete dhe përmbajtja. Çfarë është sipas jush?

Albin Kurti: Ambasadori Grenell ka më të rëndësishme kohën e marrëveshjes se sa përmbajtjen e saj. Kjo qasje e shtyn që të bëjë më shumë trysni në palën më të dobët. Në këtë rast Kosova është më e dobët se Serbia.

Blendi Fevziu: Çfarë marrëveshje ka mes Thaçit dhe Vuçiçit?

Albin Kurti: Është një marrëveshje sipas së cilës Kosova do duhej të hiqte dorë nga komunat në veri të lumit Ibër. Serbia do të fitonte ndonjë komunë shtesë në veri të lumit Ibër. Për kompensim, Kosova do të merrte ca fshatra në Luginën e Preshevës, por kurrsesi Bujanovcin dhe Medvegjën, në rastin më të mirë, qytezën e Preshevës.

Blendi Fevziu: Ku është kjo marrëveshje? Ekziston?

Albin Kurti: Ata kanë bërë marrëveshje sekrete. Nuk e kam. Po ta kisha do ua kisha dhënë edhe ju.

Blendi Fevziu: Edhe Enver Hoxha bëri marrëveshje sekrete me Serbinë etj., por rezultoi që të gjitha ishin paranoja. Deri tani ka një marrëveshje sekrete? Ka një dëshmitar për këtë marrëveshje? A i referoheni një fakti konkret?

Albin Kurti: Nuk mendoj që kufiri i imagjinatës suaj duhet të jetë Enver Hoxha. Ka marrëveshje sekrete. Janë bërë marrëveshje.

Blendi Fevziu: A keni një fakt konkret?

Albin Kurti: Një bashkëpunëtor i Presidentit të Kosovës ka biseduar me njërin prej njerëzve më të afërt të mi dhe pak a shumë këtë që e thashë unë ia ka paraqitur si një gjë shumë të favorshme për Kosovën, e cila jo vetëm që duhet të pranohet, por duhet të kalonte në referendum nëse duhej të organizohej një i tillë.

Blendi Fevziu: Si quhej ky këshilltar i Presidentit?

Albin Kurti: As për këtë bashkëpunëtorin tim dhe as të Presidentit nuk kam pse ua them emrat. Këtë e kam shpjeguar edhe në Kuvendin e Kosovës. Nuk kam dilema nëse ka ndonjë marrëveshje mes tyre.

Guvernatori Sejko: Shtyrja e kredive, pa penalitete

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka siguruar se shtyrjet me 3 muaj të kredive nuk do të kenë penalitete për klientët.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Sejko theksoi se kreditë nuk shtyhen automatikisht, por vlerësohet kërkesa e çdo klienti.

“Shtyrja e kredive për 3-mujorin aktual është zyrtarizuar. Është afërsisht 2 miliardë Euro. Është për sistemin bankar dhe institucione financiare jo banka. Shtyrja nuk bëhet automatikisht, shqyrtohet rast pas rasti. Në këtë shtyrje bankat kanë qenë proaktive. Në 99% të rasteve që kanë aplikuar bankat kanë bërë shtyrjen.

Deri në momentin aktual janë miratuar 21 mijë raste të kredive të shtyra. Ndryshimi rregullativ që ne kemi bërë i rekomanduam bankat që kjo shtyrje të bëhet pa penalitet. Jo për t’u paguar njëherazi”.

Guvernatori i BSH u pyet për edhe interesat që kanë mbajtur banka të caktuara për ata që klientë që kanë tërhequr pagat e luftës.

Kjo ndoshta ka të bëjë me ndonjë bankë që mban komision. Ne kemi hequr komisionet për hapjen e llogarive për vlera të vogla. Por mund të kemi ndonjë ankesë”. /tvklan.al