Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar nga uniformat blu të Lezhës dhe janë arrestuar dy autorë të dyshuar. Gjatë operacionit të koduar “Porosia” janë vënë në pranga S.H. 18 vjeç nga Gramshi dhe M.K. 43 vjeç nga fshati Shënkoll. Sipas policisë e cila kishte marrë informacion në rrugë operative, 43-vjeçari M.K. kishte porositur 18-vjeçarin që të qëllonte gjatë orëve të natës të së shtunës në drejtim të banesës së një person me banim në fshatin Rrilë të Lezhës.

Pas ngjarjes, autori i dyshuar do të merrte automjetin parkuar të personit që do të qëllonte për t’u larguar nga vendngjarja. Gjatë aksionit, policia sekuestroi një kallashnikov, një karikator me 30 fishekë, një çantë me 45 fishekë të tjerë, një kapuç, një palë doreza dhe dy celularë.

Policia i ka referuar materialet për këtë ngjarje “vrasje me paramendim në bashkëpunim e mbetur në tentativë” në ngarkim të 43-vjeçarit, ndërsa 18-vjeçari akuzohet për “vrasje me paramendim në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

/tvklan.al