Veliaj: Për të marrë pjesë në aktivitete publike duhet të jesh i vaksinuar, për të mos rrezikuar jetën e të tjerëve

Në Tiranë do të jetë e detyrueshme pasaporta e vaksinimit për të marrë pjesë në aktivitete publike. Kështu ka deklaruar kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë vizitës në familjen Trimi në Ndroq, banesa e së cilës u rindërtua pas tërmetit.

“Nëse doni që Tirana të hapet 100%, pra që të lejohet publiku në ndeshjet e futbollit ose në koncerte, duhet të jesh i vaksinuar. Nëse doni të shkoni në aktivitete te Amfiteatri i Liqenit, në sheshin Skënderbej, apo të ndiqni koncertet e Dua Lipës, Rita Orës, s’ka rëndësi kush vjen, duhet të jeni të vaksinuar.

Nëse nuk vaksinohesh, nuk ke pse e mban peng qytetin që të kthehet në jetën e tij normale. Sepse i bie që 1% e shoqërisë dikton 99% të të tjerëve. Nëse s’do të vaksinohesh, rri ti në shtëpi dhe beso idiotësitë e portaleve”, është shprehur Veliaj.

Në këtë zonë, njësoj si familja Trimi, janë edhe 100 banesa të reja, ku po punohet, më pas do niset me infrastrukturën arismore.

“Në Ndroq kemi një paketë me 38 shtëpi, ndërkohë kemi edhe një lagje me 74 shtëpi të tjera. Po përfundojmë shtëpitë individuale, plus lagjen e re, e pastaj do të përfundojmë gjithë infrastrukturën arsimore në zonën e luginës së Erzenit, këtu në Ndroq, në Pezë dhe në Vaqarr.

I themi lamtumirë krizës që na solli tërmeti, për t’u fokusuar tek gjithë energjia e mirë që na duhet për të promovuar më shumë zonën, për t’u fokusuar më shumë te bujqësia”, ka shtuar Erion Veliaj.

Shtëpia e re familjes së Muhamed Trimit e dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit, ka strkturë 2+1.

Klan News