India, vendi me ritmet më të shpejta aktualisht. Qeveria shtrohet në spital

Numri i të infektuarve me Covid në mbarë botën i ka kaluar 18 milionë. Alarmante situata aktualisht është në Indi. Ku çdo ditë numri i rasteve të reja po vjen duke u rritur.

Këtë të hënë autoritetet kanë raportuar për 52.972 infeksione të reja të konfirmuara në 24 orët e kaluara, duke arritur në total 1.8 milionë, si dhe 771 vdekje të reja. Sëmundja Covid-19 ka vrarë tani 38.135 njerëz në këtë shtet. India renditet vendi i tretë me numrin më të lartë të të infektuarve, pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit.

Përhapja e virusit, nuk ka kursyer as drejtuesit më të lartë të shtetit në Indi. Të dielën, Ministri Federal i Brendshëm Amit Shah, një nga ndihmësit më të afërt të Kryeministrit Narendra Modi, si dhe shefat e dy shteteve të mëdha janë shtruar në spital me Covid-19.

Ndërsa infeksionet vazhdojnë të rriten në vend, pasi kanë regjistruar një rekord prej 57.111 të shtunën, India gjithashtu ka rritur përpjekjet për të testuar më shumë njerëz dhe kërkimin e një vaksine.

Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se autoritetet e vendit kishin lejuar Serum Institute of India, prodhuesi më i madh në botë i vaksinave sipas vëllimit, të kryejë prova klinike të një kandidati për vaksina të zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit.

Klan Plus