Të paktën 7 persona, pjesa më e madhe fëmijë, humbën tragjikisht jetën në një aksident të rëndë të ndodhur në jugperëndim të Moskës. Më shumë se 20 persona mbetën të plagosur, pasi autobusi me të cilin udhëtonin doli nga rruga.

Sipas Ministrit të Emergjencave në vend, në mjet ndodheshin 48 persona, 33 prej të cilëve fëmijë. RT raporton se autobusi u përmbys ndërkohë që udhëtonte drejt qytetit të Kaluga.

Ministri i Mbrojtjes konfirmoi se në mesin e 7 viktimave, 4 prej tyre janë fëmijë. Edhe në mesin e të plagosurve, shumica janë fëmijë.

Sipas të dhënave të para, drejtuesi i autobusit humbi kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga. Ai është ndaluar nga autoritetet, që kanë nisur hetimet. Megjithatë nga testi i gjakut nuk rezultoi se shoferi kishte konsumuar alkool.

Udhëtimi në fjalë ishte organizuar me qëllim që t’i çonin fëmijët në një konkurs kërcimi në Kaluga. Sipas ligjeve ruse, në rastin konkret autobusi nuk kishte nevojë që të shoqërohej nga një makinë policie, megjithatë udhëtimi nuk ishte raportuar në policinë rrugore, siç e kërkon procedura.

/tvklan.al