Platforma e Koalicionit për Integrimin Euroatlantik të Shqipërisë, ideuar nga lidershipi i mazhorancës socialiste, sanksionon grupet parlamentare anëtare të marrëveshjes të votojnë vëtëm pro vendimeve apo projektligjeve të qeversië. Me objektiv të qartë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe NATO përmbajtja e marrëveshjes përmes 9 pikave kontrakton partitë të marrin pjesë në nivele të ndryshme të qeverisjes, të nxisin reformat dhe të mos votojnë kundër vendimeve të rëndësishme të ekzekutivit, që kanë për qëllim stabilitetin dhe integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Kjo marrëveshje duket se do të firmoset nga agrarët, aleatët e qëndrueshëm të socialistëve, të cilët janë pjesëmarrës në qeveri ndërkohë që socialdemokratët i qëndrojnë besnikë koalicionit të vjetër “Aleanca për Shtetin”, të përcaktuar me vendim të kongresit, duke bërë të qartë se nuk do të marrin pjesë në koalicionin e ri për integrim.
Demokratët e reformuar dhe aleanca demokratike do të pranojnë kushtet e platformës së koalicionit të ri vetëm nëse përfaqësohen në qeverinë e re të kryesocialistit Fatos Nano. Ndërsa Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, me marrëveshjen për të hyrë në qeveri me post ministror, mbështet platformën e koalicionit për integrim edhe pse nuk është e qartë nëse dy deputetë të kësaj partie do t’i binden kryetarit Vangjel Dule për të mos votuar kundër projektligjeve të qeverisë./tvklan.al