Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Nuk do të na duhet të presim 30 vjet për të parë Tiranën e rregulluar. Plani rregullues i qendrës së qytetit me të vërtetë që ka limit për përfundimin e tij 30, por kjo nuk do të thotë që ai do të realizohet vetëm atëherë, sqarimin e bën kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama.

Edi Rama:- “Kur është folur për 30 vjet është pasur parasysh thjeshtë dhe vetëm fakti, që e gjithë kjo punë kolosale, do të realizohet brenda këtij harku kohor, por realizimi i këtij plani urbanistik është pak a shumë, si realizimi i integrimit të Shqipërisë në Europë, pra mund të bëhet për 5, për 10 apo për 500 vjet, në varësi nga vullneti ynë, në varësi nga energjitë dhe mençuria jonë”. Ky plan i miratuar një ditë më parë nga KRRTRSH, do të jetësohet që në muajin Prill dhe puna do të realizohet në disa drejtime.

Edi Rama:- “Këtu kam parasysh, parkingjet publike nëntokësore, të cilat përfshihen në plan, këtu kam parasysh urat e librit mbi lumin e Lanës, këtu kam parasysh përgjigjen ndaj sipërmarrjeve të lira, që do të aplikojnë në funksion të realizimit të këtij plani me projektet e tyre dhe kam gjithashtu parasysh edhe punën për infrastrukturën”.

Kryebashkiaku Rama siguroi, se nëse do të punohet me ritmet e duhura, brenda këtij mandati të qeverisjes vendore pritet të përfundojë parku qendror, me një hapësirë prej 130 mijë metra katror gjelbërim./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini