Degjeneroi në dhunë protesta e opozitës. 15 efektivë të policisë kanë mbetur të plagosur, si dhe 4 protestues. Që në nisje të protestës përpara Kryeministrisë, protestuesit hodhën bomba molotov, duke i vënë flakën disa herë derës së godinës së qeverisë, si dhe asaj të kryesisë së Kuvendit. Policia i bëri thirrje sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demorkatike, Gazment Bardhi, për t’i bindur protestuesit të mos kryenin akte dhune.

Për të shpërndarë protestuesit, policia u detyrua të hedhë gaz lotsjellës. Kreu demokrat deklaroi se e vetmja zgjidhje, është largimi i Ramës. Pas kryeministrisë protestuesit u drejtuan në godinën e parlamentit, atje ku situata precipitoi edhe më tej.

Bomba molotov, kapsolla e fshekzjarre u hodhën sërish në drejtim të efektivë të policisë. Në kundërpërgjigje policia përdori gazin lotsjellës dhe ujë me presion mbi protestuesit.

Situata e tensionuar bëri që në terren të zbresin edhe forcat speciale. Një ndër të shoqëruarit në polici është dhe sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Sait Dollapi. Pas këtij momenti, Kryetari Basha i bëri thirrje mbështetësve t’i drejtohen Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku mbahet edhe Sekretari Organizativ, Sahit Dollapi.

Tv Klan