Sipas mazhorancës një ligj i tillë është në fuqi që prej vitit 2016

Socialistët nuk pranuan të bëjnë një ligj të ri që sanksionon rolin e spiunëve gjatë procesit të shitblerjes së votave por në ligjin aktual për sinjalizuesit i dhanë të drejtë KQZ-së të ngrejë njësinë e saj të spiunëve për të luftuar korrupsionin zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 Qershorit.

Pavarësisht se ligji për spiunët ka hyrë në fuqi që prej vitit 2016 deri tani është regjistruar vetëm një rast spiunimi. Institucioni i Celibashit do të bëjë edhe grumbullimin dhe verifikimin e rasteve të denoncimit që mund të vijnë direkt në KQZ apo në zyrat rajonale në raport me krimet zgjedhore.

Socialistët e miratuan në Komisionin e Ligjeve këtë nismë duke ju kujtuar opozitarëve të Bashës dhe Kryemadhit se nuk kanë marrë më 5 Qershor ligje të gatshme thjesht për t’u votuar në Parlamentin aktual.

Të gjithë ata persona të cilët janë pjesë e shit-blerjes së votës, nëse bashkëpunojnë me organet e drejtësisë, për të lehtësuar hetimin, për të treguar fakte që çojnë para përgjegjësisë të gjitha këto raste do të përjashtohen nga dënimi për veprën penale.

PD-së që ka kërkuar që shitblerja e votës të hetohet nga SPAK-u, dhe jo nga prokuroritë e rretheve. Me burg do të dënohen ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë, marrësit dhe dhënësit e kartave të identitetit.

PD pretendon se pa u miratuar në Kuvend të 7 ligjet e 5 Qershorit që lidhen me hetimin dhe dënimin e  manipulimeve zgjedhore Reforma Zgjedhore nuk konsiderohet e përmbyllur. Sipas tyre nëse nuk miratohen brenda Dhjetorit, këto ligje bëhen të pavlefshme për t’u zbatuar më 25 Prill.

Tv Klan