Në përmbyllje të fushatës në kryeqytet, Kryeministri Edi Rama tha se mandati i tretë është mandati që do të vulosë njëherë e mirë që ngjarje si ajo e një dite më parë në Elbasan të mos shfaqen më kurrë.

“Mandati i tretë, është mandati që do të vulosë njëherë e mirë se ajo që ndodhi dje në Elbasan dhe gjithë ajo autokolonë e rishfaqur ne jetën e shqiptarëve nuk do të shfaqet kurrë më. Kurrë më. Nuk do të ketë politikanë, të cilët do të mund ta marrin përsipër të bëhen korrierët e atij mallkimi. Historia jonë ka plot raste kur momentet, sfidat, janë bërë të rënda dhe kur e përpjeta është bërë sfiduese, korrierët e mallkimi janë shfaqur dhe u kanë folur shqiptarëve me zëra joshës, të ndryshëm, emra të ndryshëm, kohë të ndryshme, arsye të ndryshme, po zëri është po ai. Zëri që i fton ta lemë betejën, që u thotë ky vend nuk bëhet prandaj kap ça të kapësh, që kërkon t’i bindë se rruga e shkurtër pas korrierit është ajo që do u japë atë që puna dhe ndershmëria, këmbëngulja nuk e jep dot. Dhe historia e ka treguar sesa shtrenjtë e kanë paguar shqiptarët”.

Rama u ndal edhe tek kryedemokrati Lulzim Basha, për të cilin tha se nuk është një figurë e dalë nga nevoja e popullit për të pasur një opozitë, por korrieri i radhës.

“Edhe Lulzim Basha, edhe autokolona vijnë nga historia, nuk janë pjesë e asaj që rreh në zemrat e njerëzve, e asaj që i mundon mendjet e njerëzve. Lulzim Basha është një shfaqje e një forme të ndryshme, në dukje europianiste, në dukje, hajde më mirë, se nuk është tipi im, por e okllaisur, e buzëqeshur, e shkathët në mënyrë sesi flet, por nuk është një figurë e nxjerrë nga nevoja, aspirata, domosdoshmëria e popullit për të pasur një opozitë, është korrieri i radhës i një historie që më 25 Prill duhet të bëhet e shkuar, e përfunduar, e pakthyeshme dhe e harruar”./tvklan.al