Është zhvilluar këtë të martë në Luksemburg konferenca e ministrave të Jashtëm të BE-së. Në fokus të takimit të tyre kanë qenë një sërë çështjesh, por më e rëndësishmja ishte ajo për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në përfundim ministrja portugeze për Çështjet e Jashtme, Ana Paula Zacarias, vend i cili mbante Presidencën e radhës të BE-së, konfirmoi se nuk u arrit në një konsensus për të miratuar kornizat negociuese për Shqipërinë dhe RMV. Kjo ishte konferenca e fundit nën presidencën portugeze dhe Zacarias shtoi se do të jetë presidenca sllovene ajo që do të vazhdojë përpjekjet për të vendosur sa më shpejt një datë për konferencën e parë të dy vendeve me BE-në.

“Pavarësisht gjithë përpjekjeve nuk qe e mundur që të arrihej në një konsensus për kornizat negociuese për RMV dhe Shqipërinë për të mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare me këto dy vende. Megjithatë ne nënvizuam që presidenca e ardhshme sllovene do të vazhdojë përpjekjet e saj që me shpresë do të çojë në një konkluzion pozitiv shpejt, në bazën e rekomandimeve që Presidenca portugeze ka vënë mbi tavolinë. Perspektiva europiane për Ballkanin Perëndimor është jetike për BE-në dhe është e rëndësishme për të mos e humbur këtë moment”, tha Zacarias.

Shtyrja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare vjen si rezultat i vetos së vendosur nga Bullgaria për Maqedoninë e Veriut. Janë një sërë çështjesh që i ndajnë të dyja vendet, ndërkohë që përfaqësuesi i Bullgarisë në takimin Këshillit të Ministrave, zëvendës ministri i Jashtëm, Rumen Alexandrov, tha se vendi i tij është i hapur për një dialog konstruktiv me Presidencën e ardhshme Sllovene të Këshillit të BE për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme.

Shqipëria ka mbetur në këtë mënyrë peng i vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut ndonëse i kishte plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE-në. Këtë radhë, vendi ynë kishte edhe mbështetjen e Holandës, vend që vitet e kaluara ka bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE./tvklan.al