Kryeministri: Identiteti ynë s’përcaktohet nga KE

Zhgënjimin me Brukselin, Edi Rama e Zoran Zaev nuk e fshehën aspak, teksa Këshilli Europian sërish nuk caktoi një datë për Konferencën Ndërqeveritare me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Në një konferencë për shtyp të dy kryeministrat e cilësuan dështim të Bashkimit Europian mos marrjen e këtij vendimi, duke i kujtuar unionit se ardhmja dhe identiteti europian i Shqipërisë është përcaktuar që në kohën e Skënderbeut.

“BE ka të drejtë të vendosë data, por nuk përcakton dot as vendndodhjen tonë, as identiteti europian, as të ardhmen tonë. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj që në kohën e Skënderbeut, dhe e ka konfirmuar në kohën e Rilindjes”.

Pavarësisht zhgënjimit që kishte me BE-në, Zaev tha se nuk ka ndërmend aspak të dorëzohet, edhe pse veton për Shqipërinë e cilësoi të pakuptimtë.

“Edhe për ne është e padrejtë, por sidomos është e padrejtë për Shqipërinë. Pozicioni ynë është i qartë. Ne vlerësojmë se integrimet europiane nuk mund të jenë peng i çështjeve bilaterale. Negociatat me Bashkimin Europian nuk mund të shndërrohen në negociata me Bullgarinë. Ky është një precedent i rrezikshëm. Kam edhe një mesazh. Ata që më njohin, mirë e dinë që unë nuk heq dorë lehtë. Ata që nuk më njohin, le ta dinë se unë nuk do heq dorë. Do shkoj edhe një herë në Sofje, sërish e sërish e do të kërkoj zgjidhje.”

E deri në marrjen e një vendimi pozitiv, Edi Rama thotë se nuk ka aspak ndërmend të presë. Në ndryshim nga personazhet e Samuel Beket ai e Zaev shprehen se do vijojnë përpara me reformat.

 “Unë dhe Zorani jemi lexuesit më të mëdhenj të Samuel Beckett, “Në pritje të Godosë”, por në të kundër të krijesave të Samuel Beckett, Vladimiri dhe Estragoni, ne nuk po presim, ne po ecim përpara. Ata na thonë që na duan, por nuk janë gati të martohen. Në rregull, ne shijojmë lirinë, derisa të martohemi.”

Rama komentoi sërish edhe çështjen e Shengenit Rajonal. Duke e cilësuar atë jo një alternativë të BE-së, por domosdoshmëri për vendet e Ballkanit Perëndimor.

 “Kush ngatërron Shengenin Rajonal, pra, zbatimin e katër lirive të BE-së me një alternativë të vetë BE-së ose nuk kupton, ose nuk do të kuptojë sepse është absurde të mendosh se duke qenë se ne duam të gjithë të jemi pjesë e BE-së,  duhet të rrimë me kurriz nga njëri-tjetri në këtë rajon. këta njerëz që i fryjnë këtij absurditeti ose nuk kuptojnë,  ose nuk duan të kuptojnë. Me ata që nuk kuptojnë, do të vazhdojmë të shpjegojmë. Me ata që nuk duan të kuptojnë, do t’i lëmë të vazhdojnë të jetojnë në botën e tyre paralele me realitetin e ekonomive e shoqërive e hapësirës sonë të përbashkët, që fatkeqësisht, akoma nuk është e përbashkët dhe patjetër duhet të bëhet e përbashkët në të gjithë rajonin.”

Më herët gjatë Forumit Ekonomik të Shkupit, i pyetur nga moderatorja greke për marrëdhëniet me Turqinë, Rama nuk i kurseu batutat me të, ndërsa foli dhe për absurditetin që Ligji i Luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë vijon të jetë në fuqi.

Gazetarja: Si janë marrëdhëniet me Turqinë?

Rama: Mos jeni xheloze nga kjo marrëdhënie se është një marrëdhënie e frytshme për të dyja palët, për ne është shumë e qartë jetojmë në mes të trekëndëshit dhe njerëzit, historia na bëjnë partnerë strategjik.

Gazetarja: Nuk është xhelozi.

Rama: Po flisja për marrëdhënien tënde, jo xhelozisë zyrtare nga Greqia.

Edhe herë të tjera, Rama e ka treguar se për të, përkthimi në konferenca rajonale e ndërkombëtare është shumë  rëndësishëm, ndaj nuk nguroi të shprehë rezervat e tij për përkthyesin nga maqedonishtja në shqip dhe pas një tjetër përpjekje u vendos që të dy kryeministrat të vazhdonin konferencën në anglisht.

Tv Klan