Ende dhjetëra vatra aktive në veri të vendit

Një zjarr masiv ra rreth mesditës së të hënës në një pus nafte në Patos. Flakët përfshinë sektorin 4 të ndërmarrjes së nxjerrjes së naftës, të quajtur Ofiçina e Vjetër. Zjarri doli nga kontrolli duke djegur edhe ullishtet pranë pusit të naftës, ndërsa u rrezikuan edhe linjat e energjisë elektrike.

Në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse të Albpetrolit dhe Patosit të cilat shpëtuan depozitat me naftë bruto duke vënë vatrën nën kontroll.

Ministria e Mbrojtjes raporton se prej më shumë se 2 javësh mbetet problematike vatra në Majën e Rrunës në Kukës. Në vendngjarje kanë punuar 40 forca ushtarake dhe ato zjarrfikëse. Problematike në veri mbeten edhe vatrat në fshatrat Flet, Srriqe dhe Armiraj në Fushë-Arrëz.

Flakët kanë shkrumbuar edhe 230 hektarë me barishte dhe pyje në Kodër Thirrë të Mirditës. Aktive janë vatrat edhe në fshatrat Domgjon dhe Munellë dhe Katund i vjetër, por nuk raportohet për rrezik të banesave.

Një vatër e re zjarri është përhapur edhe në Mengaj të Kavajës ku forcat zjarrfikëse po punojnë për mbajtjen nën kontroll.

Tv Klan