Me vetëm 4 ministra të dekretuar nga propozimet e reja dhe 5 të lënë pezull nga Presidenti , Kryeministri Rama mblodhi anëtarët e vjetër e të rinj të kabinetit në një mbledhje në Fushë Labinot të Elbasanit.

Ndonëse një takim informal, tematikën e diskutimeve e zbuloi vetë Kryeministri Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shpjegoi se objekt i mbledhjes së parë të qeverisë për këtë vit ishin prioritetet për këtë vit.

“Ditë diskutimi për sfidat e 2019-ës sektor për sektor. Në fokus rritja e punësimit dhe sipërmarrjes vendase, përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës së shërbimeve publike, masat e reja Antikorrupsion dhe rekrutimi në administratë i të rinjve me 9-10. PS-Reforma-Skuadër-Lidership”.

Por edhe kjo mbledhje e qeverisë nuk kaloi pa protesta nga mbështetësit e opozitës, të cilët ndezën  tymuese dhe bënë thirrje kundër Kryeministrit Rama.

Mbledhja e qeverisë vjen pas ndryshimeve në kabinetin qeveritar dhe dekretimeve të një pjesë të ministrave të rinj nga ana e Presidentit Meta. Të shtunën kreu i shtetit dekretoi vetëm 4 nga 9 emrat e rinj të propozuar nga Kryeministri Edi Rama, si dhe nuk firmosi shkarkimin e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Presidentit i kanë mbetur edhe gjashtë ditë kohë për t’u shprehur me dekret për ministrat që janë ende pezull, për të cilët ka kërkuar informacion shtesë.

Tv Klan