Nis puna për njohjen e patentave me Gjermaninë

Pas takimit me Kancelaren gjermane Angela Merkel, Kryeministri Rama ka treguar mesazhet e vizitës të tij në Gjermani për qytetarët përmes një video të shpërndarë në Facebook.

Kreu i qeverisë tha se Kancelarja është shprehur pozitivisht për nismën e qeverisë lidhur me ligjin special kundër krimit të organizuar të cilën e quan si paketa “KÇK”. Rama u shpreh se amendimet do t’i shkojnë për konsultim dhe ekspertëve të huaj.

“Pastrimi i drejtësisë nga të korruptuarit dhe krijimi i SPAK-ut për Kancelaren janë rezultate kuptimplota që japin shpresë. Ajo u shpreh shumë pozitivisht për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe amendamentet speciale anti-KÇK që do të hyjnë në fuqi ditët e ardhshme pas konsultimeve përfundimtare me ekspertët ndërkombëtarë”.

Rama është i bindur se një kërkesë e hershme e vendit tonë për të njohur lejet e drejtimit të automjeteve në Gjermani këtë herë do të realizohet, pasi tashmë sipas tij “ka një mik të fortë”, duke nënkuptuar Kancelaren Angela Merkel.

“Shumë shpejt do të vijë një grup nga Ministria e Transporteve gjermane për të bërë përputhjen e dokumentacionit. Këtë herë them se është e realizueshme sepse kam një mik të fortë”.

Për shefin e qeverisë shqiptare, vizita e tij në Gjermani ishte e suksesshme jo vetëm për ndihmën që ky vend do të japë në konferencën e donatorëve për ndihmat pas tërmetit, por edhe në kahun e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, dhe marrjen e fondeve shtesë nga programet e BE-së për rindërtimin e ekonomisë në sektorët e prekur nga tërmeti.

Tv Klan