Në Bruksel, vetëm vlerësime pozitive për Shqipërinë

Deklaratën e Brukselit se partitë politike duhet të shohin integritetin e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhje, Kryeministri Edi Rama nuk e sheh aspak si ultimatum për qeverinë. Rama mohoi që një kërkesë e tillë t’i ishte bërë gjatë takimeve që zhvilloi me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian.

Në konferencën e përjavshme për shtyp me fokus ekonominë, ai iu përgjigj interesit të gazetareve edhe për një tjetër çështje politike, atë për marrëveshjen e nënshkruar mes PD-së e LSI-së, pas së cilës tha se fshihet plani i Presidentit Ilir Meta për të marrë drejtimin e opozitës.

Tha se problemin nuk e sheh aspak tek Presidenti Meta, por tek Lulzim Basha, të cilin e etiketon si lider pa karakter. Bashën e ironizoi edhe për programin, teksa prezantoi reformën e ndërmarrë në shërbimin dixhital, ku sipas tij 95% e tij tashmë është online.

E në kuadër të shërbimeve online, së shpejti tha se edhe qytetarët shqiptarë do të kenë pasaportën e vaksinimit. Ndërsa të infektuarit nga Covid 19 nuk do të mund të votojnë në 25 Prill.

Kryeministri nuk dha një datë se kur nis vaksinimi në masë i popullatës, por u shpreh besimplotë se me nisjen e sezonit do të ketë më shumë frymëmarrje edhe për këtë sektor.

Tv Klan