Vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2021

Mazhoranca i ka lënë dhe një javë kohë Këshillit Politikë për Reformën Zgjedhore për të gjetur konsensusin lidhur me draftin final që do t’i kalojë fillimisht komisionit bipartizan dhe më pas edhe Kuvendit për votim. Kjo u bë e ditur nga Kryeministri Edi Rama gjatë një video-konference me anëtarët e Këshillit Politikë, ku ndër të tjera theksoi se nëse nuk gjendet dakordësia atëherë reforma brenda 30 Qershorit do të kalojë në Kuvend.

“Brenda javës përfundon procesi në Këshillin Politik dhe në të gjitha rastet, me dakordësi, pa dakordësi detajet i dorëzohen Komisionit të Reformës Zgjedhore. Deri në 30 Qershor pasi deri atëherë është afati nga Kuvendi. Dhe ju mund t’i dispononi këto”.

Ndërkohë mazhoranca është e gatshme gjithashtu që votën e emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të nisë të implementohet duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2021.

“Ky është një angazhim programor dhe publik i marrë prej nesh. Ne as na ka munguar dhe as na mungon vullneti politik për të realizuar këtë vullnet politik. Unë kam besim ne mund të hyjmë në këtë proces me një votim me projekt pilot”.

Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri duke sjellë detaje nga mënyra sesi do realizohet ky proces, bëri të ditur se që një shtetas shqiptar që jeton jashtë vendit, që të votojë ai duhet të jetë i regjistruar në regjistrin e Gjendjes Civile ndërsa vota e tyre do të llogaritet për qarkun e Tiranës.

“Çdo emigrant do të gjenerohet në listën e zgjedhësve dhe nëpërmjet një akti që do t’i shprehet KQZ, ai të marrë pjesë në votim. Duhet që emigranti me banim jashtë vendit të jetë i regjistruar në regjistrin e Gjendjes Civile”

Por Ministri i Diasporës, Pandeli Majko shprehur rezerva sa i zgjidhjes që i është dhënë në Kod, duke theksuar se dispozitat ligjore duhet të jenë më të qarta dhe kjo çështje të mos i lihet në dorë vetëm KQZ-së.

“Ka shumë rëndësi të vendosen detaje në dispozitat ligjore për votën e emigrantëve”.

Anëtarët e Këshillit të Diasporës vlerësuan angazhimin për të bërë realitet këtë ëndërr 30-vjeçare të tyre, ndërsa shprehën zhgënjimin e tyre lidhur me mungesën e mirëkuptimit mes palëve politike për këtë çështje.

Tv Klan