Kryeministri ka falenderuar homologun për 20 mijë vaksinat dhuratë nga Greqia

Kryeministri grek Mitsotakis dhe Kryeministri Edi Rama ranë dakord të përshpejtojnë negociatat për përfundimin e një marrëveshjeje të përbashkët me qëllim dërgimin e dosjes për caktimin e kufijve të Zonave Detare të dy vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Sipas mediave greke Mitsotakis përsëriti mbështetjen e Greqisë për kursin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa Rama e falënderoi për dhënien falas nga pala greke të 20,000 vaksinave për Shqipërinë.

Kyriakos Mitsotakis përsëriti interesin e qëndrueshëm të Athinës për Pakicën Kombëtare Greke si dhe për përparimin e Shqipërisë në fushat e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, të cilat sipas tij janë ndër parakushtet që BE ka vendosur për Shqipërinë .

Më në fund, Kryeministri përgëzoi Z. Rama për zgjedhjen e Shqipërisë si një anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në dy vitet 2022-2023.

Klan News