Organi kushtetues që do të mbikëqyrë procesin dhe certifikojë më pas rezultatet elektorale, për alenacistët duhet të jetë jopolitik. Në një intervistë për televizionin Klan kreu i PAD-së Neritan Ceka, duke folur për formulën e arritur nga dy partitë e mëdha në lidhje me përbërjen e KQZ-së, kërkoi gjithashtu që administrimi i zgjedhjeve të bëhet nga ministria e brendshme, duke ia faturuar kësaj të fundit të gjitha kostot të do të mbartë i tërë procesi elektoral.

Neritan Ceka: “Kam qenë gjithmonë dhe duke përfaqësuar Aleancën Demokratike për një komision qendror të zgjedhjeve të depolitizuar. Me anëtarë që dalin nga faktorë të ndryshëm, ku edhe parlamenti do të ketë pjesën e vetë, por duhet të jenë patjetër të përfaqësuar gjykatën nëpërmjet konferencës gjyqësore, duhet të jetë e përfaqësuar KLD nëpërmjet presidentit, duhet të jenë të përfaqësuar faktorë të tjerë shoqërorë të cilët e bëjnë këtë komision të depolitizuar. Të gjithë procesin zgjedhor duhet ta marri përgjegjësi qeveria nëpërmjet ministrisë së brendshme si kudo në botë.”

Por edhe pse në kundërshti të plotë me vendimin e marrë nga dy partitë e mëdha në lidhje me formulën e re të KQZ 6+1, aleancisit Ceka gjithashtu ka kundërshtuar dhe qëndrimin e disa partive të vogla të kryesuara nga LSI-ja. Sipas tij përballë shkeljes së këtij procesi ndërkombëtarët sërish po heshtin.

Neritan Ceka: “Është pika më e dobët dhe treguesi që nuk ka asnjë reformë, mund të themi që në këtë drejtim është bërë një hap prapa. Jemi pothuajse në kushtet e komunizmit, kur zgjedhjet mbikëqyreshin nga Partia e Punës. Është një fatkeqësi që Europa po mbyll sytë përpara këtij fakti skandaloz. Për fat të keq me mbështetjen e OSBE-së edhe të faktorit ndërkombëtarë, i cili neglizhon këtë çështje në mënyrë të dukshme dhe rezultati do të jetë prapë një raport i OSBE, që do të thotë ka përmirësime, por vazhdon historia e manipulimit të zgjedhjeve njësoj si në Bjellurosi dhe në Shqipëri, jemi në nivelin e Bjellurosisë.”

Reagimi i Cekës vjen pak ditë pasi komisioni për reformën zgjedhore mbylli pjesën dërrmuese të kapitujve kryesorë dhe njëkohësisht më të debatuarën për kodin zgjedhor, atë të shpërndarjes së mandateve dhe administratës zgjedhore./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro