Gjykata e Krimeve të Rënda kërkon të marrë në pyetje tre agjentë të infiltruar të policisë, çka do të shënonte një rast unik në drejtësinë shqiptare.

Dëshmia e tyre u kërkua nga avokatët mbrojtës, të 4 të pandehurve për trafik armësh luftarake. Kjo kërkesë sipas mbrojtjes ka të bëjë me faktin se kjo mënyrë hetimi është jo korrekte, pasi blerja e stimuluar e armëve nga të infiltruar ka nxitur të pandehurit në krim.

Sajmir Visha: “Sot njihen në rrethin shoqëror disa nga pseudonimet e punonjësve të policisë të infiltruar si Tani, Labi, Mario, të cilët ndonëse janë punonjës të infiltruar po kryejnë nxitje për të kryer akte kriminale për persona të cilët pa ndërhyrjen e punonjësve të policisë nuk do të kryenin akte kriminale, ose vepra penale për të cilën po gjykohen sot pranë gjykatës së krimeve të rënda.”

Alfred Qafa, Fiqiret Onuzi, Bujar Ajeti dhe Baftjar Halilaj u arrestuan në flagrancë në 19 qershor të vitit të shkuar, ndërsa transportonin në automjetin e tyre 100 armë zjarri, pistoleta model miniblov.

Sajmir Visha: “Pa autorizimin e prokurorit të prokurorisë pranë krimeve të rënda, punonjësi i policisë ka nxitur kryerjen e aktit kriminal, ku pa ndërhyrjen e punonjësit të policisë nuk do të kishte ardhur pasoja ose vepra penale për të cilën po gjykohet sot pranë gjykatës së krimeve të rënda.”

Gjykata kërkoi administrimin e provave të akuzës, ndërsa avokatët e të pandehurve kërkuan që gjykata të mos pranojë në cilësinë e provës raportin e shërbimit policor gjatë përgjimeve të të pandehurve dhe një prej agjentëve të infiltruar që nxitit blerjen e armëve./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani