Kritiku i Kremlinit mbetet në burg, gjykata i ul dënimin me rreth 6 muaj

Kritiku i Kremlinit Alexei Navalny humbi apelin kundër asaj që e quan proces të motivuar politikisht për ta burgosur me rreth tre vjet, ndërkohë gjykata i shkurtoi kohën e qëndrimit në qeli.

Gjykata e Moskës llogariti kohën e arrestit shtëpiak dhe tani Navalnyit i bie të qëndrojë në burg për rreth 2.5 vjet.

Në sallën e gjyqit ai iu përgjigj me ironi vendimit. “Ma reduktuan dënimin me 1.5 muaj. Shkëlqyer!” tha ai brenda kafazit të xhamtë.

Politikani opozitar i tha më herët gjykatësit se ishte i pafajshëm për shkeljen e dënimit me kusht. Ai u kthye në Rusi muajin e kaluar nga Gjermania, ku u kurua pas helmimit në Siberi.

“Nuk dua ta teproj, por e gjithë bota e di se ku isha. Sapo u shërova bleva një biletë dhe u ktheva,” i tha Navalny gjyqtarit.

Jashtë gjykatës, avokati i Navalnyt, Vadim Kobzev, tha se vendimi ishte i pritshëm.

“Ne e konsiderojmë vendimin të paligjshëm. Të gjitha argumentet u refuzuan, e vetmja gjë pozitive është marrja në konsideratë e arrestit shtëpiak,” tha avokati.

Moska vijon të refuzojë edhe kërkesën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që tha se burgosja e Navalnyt ishte e paligjshme.

Burgosja e politikanit opozitar solli protesta mbarë kombëtare në Rusi, të cilave policia ju kundërpërgjigj me arrestime masive.

Klan News