Qendra e degraduar historike e Vlorës me ndërtesa që datojnë prej shekullit të XIX pritet të kthehet në identitet. Punimet restauruese i inspektoi edhe Kryeminsitri Rama, gjatë qëndrimit në këtë qytet në kuadër të turit “Bashkia që duam”.

Me përfundimin e projektit, Rama tha se perspektiva turistike e zonës do të jetë shumë premtuese.

“Ajo që është e sigurt është që kjo do bëhet një zonë e jashtëzakonshme. Kjo ishte një plehrë. Do bëhet një zonë e jashtëzakonshme. Unë pashë Korçën herën e fundit, gjithë ajo zona e pazarit tani ka hyrë komplet në atë sistem që duhet të hynte. Dhe këtu do ndodhë e njëjta gjë. Do bëhet zonë turistike fantastike”.

Projekti përfshin ndërhyrje restauruese në 68 objekte, monumente kulture dhe objekte të tjera në zonën arkeologjike B të qytetit. Deri tani është ndërhyrë në 53 objekte në rrugën “Justin Godar”, ish-pazari, “Lagjja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga, xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit.

Një nga ndërtesat interesante që do të shërbejë si pikë atraksioni për turizmin është edhe ajo e parashikuar për Muzeun e Hebraizmit.

Tv Klan