Rama inspekton kantieret në Tiranë dhe Durrës

Kryeministri Edi Rama e nisi javën duke inspektuar punën e bërë në kantieret e rindërtimit. I shoqëruar nga kryebashkiaku i Tiranës, kryeministri pa nga afër lagjen e re të Ndroqit, aty ku brenda vjeshtës do të jenë gati 75 banesa për 350 banorët e prekur nga tërmeti.  

Edi Rama: Ku je? A u bo siç deshët apo jo?

Banori: Siç deshëm u bo, ja me pemë.

Edi Rama: Jo se e deshe ti po është e duhura.

Kryeministri inspektoi lagjen e re të Vaqarrit, aty ku ka nisur mobilimi i banesave të rindërtuara.

“Shkolla po përdoret edhe nga nxënësit e Pezës sepse atyre po ju ndërtohet shkolla e re. Më pas këta kalojnë atje dhe këtu do të nisim ndërtimin e shkollës nga fillimi. Do të ketë edhe një stacion autobusi këtu meqë është bërë një komunitet shumë i madh”.

Ndalesën e radhës Rama e pati në Manëz të Durrësit, aty ku deri në fund të vitit do të strehohen në banesat e reja 224 familje. 2 prej tyre kryeministri iu dorëzoi edhe çelësat.

Edi Rama: Po mirë paska dalë.

Banori: Mrekulli, jemi shume te kënaqur.

Ndërsa në Sukth vijon puna për rindërtimin e shkollës “Ismet Nanushi”, e cila në vjeshtë do të jetë gati për 705 nxënës dhe 80 fëmijët e kopshtit.

Kryeministri pa punën e bërë deri tani në aksin Sukth – Maminas, për zgjerimin e rrugës, trotuaret dhe ndriçimin. Segmenti prej 6.3 km do të shërbeje për të shfryrë fluksin që sjell sezoni turistik në qytetin e Durrësit.

Tv Klan