Në prag të sezonit turistik dhe ambicies për zhvillimin e këtij sektori, rruga që të çon në Palasë është prishur. Kjo ka ndodhur sepse pronari që është shpronësuar një herë për shkak të interesit publik, ka sërish pretendime për pronën.

Rruga, që sot i është vënë fadroma, është ndërtuar në Korrik 2017 nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe pa u bërë viti, ajo është shkatërruar për çështje pronësie. Ndaj dhe investitorët e turistët detyrohen të kalojnë përmes një lëndine.

Gjithçka ka nisur në vitin 2001, kur ky qytetar ka blerë pasurinë nga shoqëria “Kamberi”, në zonën kadastrale 2863 Palasë, me sipërfaqe 5000 metrash katrorë, e regjistruar në nenin 116. Kjo pronë ka për origjinë VKM numër 111, datë 089.03.2001.

Por kjo e fundit nuk e ka njohur asnjëherë këtë shoqëri si pronar, pasi nuk e ka botuar në fletoren zyrtare. Ndaj dhe VKM numër 645, datë 21.05.2008, shfuqizoi të parin, duke rekomanduar mosvijimin më tej të pasuritë në fjalë, deri në zgjidhjen e origjinës së pasurisë.

Eksperti i Përmbarimit Shtetëror Vlorë konstatoi që kjo rrugë është shtet dhe pavarësisht kësaj e kanë prishur. Qytetari e ka çuar çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Apelit, të cilat i dhanë të drejtë pa analizuar provat dhe pa kërkuar statusin e pronës, që rezulton tokë-shtet.

Gazetari i emisionit “Stop” komunikoi me gjyqtaren e Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, Elona Mihalin, e cila preferoi të largohej pa kthyer asnjë përgjigje.

Gazetari – Genci Angjellari, Tv Klan, emisioni “Stop”. Doja të konsumoja një vendim, që ju keni dhënë kohë më përpara, në lidhje me një rrugë në zonën e Palasës.

Gjyqtarja Elona Mihali –

S’mund të pyesësh! Nuk mund të pyesësh kështu!

Gazetari – Jo! Është ideja që nuk kemi të saktësuar origjinën e pronës. Keni marrë një vendim nga hipoteka të tre muajve të fundit, për të parë pronën?

Ndërsa gjyqtarja Margarita Buhali nga Gjykata e Apelit vendosi ta lejë në fuqi dhe të ekzekutohet në formë të prerë nga Përmbarimi Shtetëror Vlorë.

Nga ana tjetër përmbaruesja shtetërore, Lindita Shaliani nxitoi të ekzekutojë vendimin, për të cilin gjatë bisedës me gazetarin tha se nëse gjykata do të shprehet për masë sigurie, rruga duhet kthyer në gjendjen e mëparshme.

Gazetari – Në lidhje me një ekzekutim të një rruge, që është bërë në Palasë, keni qenë ju përmbaruesja. Prishet një rrugë për interes të dikujt, që… edhe origjina e pronës thotë që nuk është e atij. Më kupton?

Përmbaruesja Lindita Shaljani –

Është me vendim gjykate. Në momentin që unë kam vendimin, për mua është i padiskutueshëm dhe fakti që ju thoni nuk prisnit dot për sigurimin e padisë. Nuk presim dot ne. Në momentin që caktojmë datën, atë ditë duhet të paraqitem dhe po pata të gjitha kushtet e domosdoshme për ekzekutimin e vendimit, unë ekzekutoj vendimin, pavarësisht që pala mund të ketë bërë kërkesë për sigurim padie.

Gazetari – Po në qoftë se shprehet gjykata për veprimet përmbarimore?

Përmbaruesja Lindita Shaljani –

Vendimi është ekzekutuar. 

Nesër gjykata mund të thotë që të anulohen të gjitha veprimet përmbarimore apo etj. Atëherë ne do i kërkojmë palës kreditore që ta anulojë, ta çojë në gjendjen e mëparshme prap, ta shtrojë, ta rregullojë….hhahahah.., kjo është.

Përmbaruesja Shaljani u shpreh se edhe nëse nuk do ta ekzekutonte vendimin e Gjykatës së Apelit, sërish do të kishte kryer shkelje. Por i kujt është faji? Apo sërish jetim…/

tvklan.al