Von der Leyen: Të moshuarit në shtëpi deri në fund të vitit

Rusia mund të jetë vatra tjetër e nxehtë e koronavirusit. Shifrat e 24 orëve të fundit flasin për mbi 2100 të infektuar të rinj, që e çojnë totalin e tyre pranë 16 mijëshit. Që prej nisjes së pandemisë, ky vend nuk ka pasur kurrë një numër kaq të madh të infektuarish brenda një dite. Shifra është dy herë më e lartë se e 24 orëshit të kaluar. Në Moskë, Shën Petërburg dhe qytete të tjera të mëdha ndalohet dalja nga shtëpitë dhe banorët duhet të marrin leje elektronike për të dalë.

Si kontinent, Europa ka numrin absolut më të lartë të viktimave që kapërcyen këtë të diel 75 mijëshin. 80% e viktimave janë shënuar në 4 vende Itali, Spanjë, Francë dhe Britani të Madhe. Ndërsa numri i të prekurve ndodhet pranë 1 milionëshit.

Në një intervistë për numrin e të dielës së gazetës gjermane Bild, presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen tha se të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundje të ndryshme do të duhet ndoshta të qëndrojnë të izoluar deri vitin e ardhshëm. Ndërsa u bëri thirrje shtetasve nga vendet europiane, të mos bëjnë plane për pushime këtë verë.

Italia shënoi këtë të diel mbi 400 të vdekur, shifra më e ulët e viktimave ditore e javëve të fundit, që tregon se pandemisë po i afrohet fundi, duke pasur parasysh edhe numrin e ulët të infektimeve të reja. 619 ishte numri ditor i viktimave në Spanjë, që gjithsesi tregon sërish qëndrueshmëri. 

Shifrën më të lartë të të vdekurve aktualisht e kanë Shtetet e Bashkuara, që pasi kapërcyen Italinë renditën në vendin e parë në botë me mbi 20 mijë viktima e më shumë se 500 mijë të prekur.

Pas stabilizimit të situatës në gjithë Kinën, në Pekin pritet të hapen disa shkolla, por problem përbëjnë rastet e të infektuarve të ardhur nga jashtë.

Globi aktualisht numëron afro 1.8 milionë të prekur dhe rreth 110 mijë viktima.

Tv Klan