Kundërshton shoqata e futbollistëve

Teksa të gjithë presin ditën e rikthimit në fushë, asamblea e Ligës së Serie A, ka marrë vendimin të shkurtojë pagat për pjesën e mbetur të sezonit. Në rast se kampionati mbyllet në këtë pikë, klubet do të mbajnë 1/3 e pagave të lojtarëve pra 4 muaj. Nëse sezoni do të rinisë sërish në muajt e ardhshëm futbollistëve do tu mbahen pagat e 2 muajve.

Diçka e kërkuar me mjaft ngulm nga ana e Ligës së Seria A, por që ka ngjallur reagimin e Sindikatës së Futbollistëve italianë. Përmes presidentit të saj, Damiano Tommasi, lojtarët e kanë cilësuar këtë vendim si një lajthitje të Ligës, pasi klubet nuk i kanë njoftuar për diçka të tillë.

Vendimi për shkurtim pagash është konsideruar i çmendur dhe se është marrë pa u diskutuar më parë me futbollistët. Sipas sindikatës kjo masë do të ketë pasoja në të ardhmen.

Kjo ulje do të sillte kursime të dukshme për arkat e klubeve të mëdha. Dy rivalët për titull, Juventus dhe Inter pritet të kursejnë nga 22 deri në 44 milionë.

Nga kjo formulë pritet të ketë përfitime edhe për klube si Napoli, Roma apo Milani që faturën financiare do ta kenë 30 milionë euro më të vogël. Lazio paguan 80 milionë euro në total gjatë një sezoni, por ulja e pagave do i sjellë kursim nga 13 deri në 26 milionë euro.

Tv Klan