Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka përgëzuar Policinë Shqiptare dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda për përfundimin me sukses të pjesës së dytë të operacionit “One by Land” javën e kaluar.

Ky operacion i ndërmarrë në bashkëpunim edhe me agjentët specialë të Shërbimit të Sigurimit Diplomatik të Departamentit të Shtetit pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë bëri të mundur shkatërrimin e shtatë grupeve të strukturuara kriminale dhe arrestimin e dy oficerëve shqiptarë me detyrë kontrollorë kufiri, të cilët mundësonin kalimin e paligjshëm të kufijve duke lëshuar dokumente te falsifikuara.

Këto grupe operonin në Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Francë, Republikën Domenikane, Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Në njoftimin e Ambasadës thuhet se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë dhe mbështesin përpjekjet në zbatimin e ligjit për të parandaluar emigrimin e paligjshëm dhe për të arrestuar personat përgjegjës.

Tv Klan