11 qershor 2026, Tiranë – Pas 5 vitesh, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) i ka hequr “non gratën” kryedemokratit Sali Berisha.
Burime për Klan News bëjnë me dije se ky vendim i është komunikuar Berishës përmes një telefonate nga e Ngarkuara me Punë në vend, Nancy VanHorn.
Teksa ne presim një deklaratë zyrtare nga Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri, ai e konfirmoi vetë para gazetarëve.
“Ajo që mund t’ju them ju dhe çdo shqiptari, u tha në Parlamentin e Shqipërisë, u ktheva! I kam të gjitha! Derisa jam këtu do të thotë se kam pasur komunikim zyrtar! E gjitha çka mund të them është unë u ktheva. Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non grata”, deklaroi me bindje kreu i PD-së.
“Kam patur një sanksion, vizën”, shtoi ai, duke theksuar se termin ‘non grata’ e shpikën kundërshtarët e tij politikë.
Para se të prononcohej lidhur me vendimin e rëndësishëm, ai shkoi në sallën e Parlamentit, ku u prit me duartrokitje nga të djathtët. “Unë erdha, u krye” – ishin tre fjalët që tha, duke sinjalizuar atë që tanimë e ka konfirmuar.
Ky sanksion ndaj Berishës dhe familjarëve të tij ishtë vënë më 19 maj të vitit 2021. Asokohe, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e komunikoi ‘non gratën’ duke argumentuar se Berisha ishte përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike. Akuza, që kreu i demokratëve i ka mohuar vazhdimisht…
Deklarata e atëhershme e Blinken:
Sot, unë jam duke shpallur emërimin publik të Sali Berishës, një ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm.
Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në shpenzimet e besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.
Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë. Me këtë përcaktim, unë po rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.
Ky emërim është bërë nën Seksionin 7031 (c) të Departamentit të Shtetit, Operacionet e Jashtme, dhe Programeve të Ndarjeve të Programeve Akti i Ndarjes, 2021. Përveç Berishës, unë po caktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berishën, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajza, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara.
Ky emërtim riafirmon angazhimin e përkrahjes së SHBA-ve për reformat politike kryesore për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete si kjo për të promovuar përgjegjësinë për aktorët e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht.
Demokratët të lumtur me vendimin, mazhoranca skeptike
Lidhur me heqjen e sanksionit, nuk kanë munguar reagimet në Kuvendin e Shqipërisë.
“Sot nuk jemi të ekzaltuar. Jemi në ato momente, kur njeriu ballafaqohet me të vërtetën. Sot ne jemi krenarë, Sali Berisha ju mundi të gjithë ju që jeni këtu. Ju mundi dhe hodhi poshtë të gjitha shpifjet tuaja, mashtrimet dhe gjithë baltën që keni vite e vite, që e hidhni mbi atë burrë dhe mbi PD. Sot vërtetë është ditë krenarie për ne dhe është dita që ju duhet të kërkoni ndjesë”, tha demokrati Luçiano Boçi.
Ndërsa sipas Klevis Balliut, ka rënë mali me shpifje ndaj Sali Berishës, sponsorizuar nga Partia Socialiste dhe Alex Soros.
“Për PD-në, për çdo njeri që demokracisë i thotë demokraci, është ditë e madhe. U fitua një betejë për dinjitet, nga njeriu që ka fituar çdo betejë! E vërteta vonon, por nuk harron!”, deklaroi Flamur Noka.
Ndryshe nga opozitarët, mazhoranca është tejet skeptike.
“Është pak vështirë të hiqet, megjithatë, unë do ta komentoj këtë sapo nga SHBA-të do të ketë një njoftim zyrtar. Nuk komentoj biseda telefonike se nuk është korrekte e as institucionale”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
“Shqiptarët nuk ia heqin non gratën Saliut, për ’97-ën, Gërdecin dhe 21 janarin”, shtoi deputetja Zegjine Çaushi.












Botërori 2026 